Deputetja Ilire Dauti ka dorëzuar sot në Kuvend dorëheqjen e saj nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ky veprim i saj vjen pasi të premten ndaj saj u votua interpelancë në Kuvend, transmeton Portalb.mk.
Kreu i Kuvendit Afrim Gashi fillimisht nuk lejoi që ajo të japë arsyetimin, megjithatë deputetët e Frontit Evropian e bllokuan foltoren.
Dauti kërkoi t’i jepeshin 15 minuta për të shpjeguar dorëheqjen e saj.
“Mësoni të respektoni rregullat, ligjet dhe procedurat. Pa dyshim zëri im do të dëgjohet sot dhe shpjegimi im për veprën e keqe që keni bërë. Turp për ju! Kërkuat shkarkimin tim dhe ai shkarkim sapo ndodhi. Prandaj dua të shfrytëzoj të drejtën time dhe ta arsyetoj. Kërkoj kohën e nevojshme prej 15 minutash për të shpjeguar dorëheqjen time”, tha Dauti.
Më pas ajo shpjegoi arsyet për dorëheqjen e saj nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi konstatoi dorëheqjen e saj.
“Konstatoj se deputetes Ilire Dauti i ndërpritet funksioni kryetare e komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini“, tha Gashi.
Ndryshe, grupi parlamentar i partisë “E Majta”, i cili dorëzoi interpelancën për kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Ilire Dauti, tha se nëse ajo nuk jep dorëheqje do të dorëzojnë propozim për shkarkimin e saj në Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
“Ne mendojmë se është e drejtë që t’i japim disa ditë Dautit, duke pasur parasysh se Fronti Evropian paralajmëroi se deri të enjten do të dalë me kumtesë se çfarë do të bëjnë, nëse do ta zëvendësojnë atë apo diçka të ngjashme. Është korrekte t’i jepet pak ditë për të dhënë dorëheqjen në mënyrë të virtytshme, sepse nuk ka asnjë logjikë që ajo të vazhdojë të punojë si kryetare e Komisionit, kur shumica absolute e Kuvendit me 61 deputetë votoi pretendime që e akuzojnë se punon në mënyrë joprofesionale, të paligjshme dhe antikushtetuese, deklaroi për MIA-n deputeti Borisllav Kërmon nga “E Majta”.
Interpelanca ndaj Ilire Dautit, deputete e Frontit Europian dhe kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ka shkaktuar debat edhe jashtë mureve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut edhe pas votimit të 10 janarit, ku me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e saj nga detyra e kryetares së komisionit me të cilën udhëheqë.
Si erdhi deri te interpelanca ndaj deputetes Dauti?
Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputetja Ilire Dauti u akuzua nga E Majta se ka bllokuar Ligjin për ‘Branitellat’.
Deputetja Ilire Dauti pati paralajmëruar se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë.