Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot duke komentuar me ironi arratisjen e bujshme të Altin Ndocit, armikut të Nuredin Dumanit, nga Infektivi i Spitalit të Durrësit, duke nënvizuar se në një narkoregjim, “provat zhduken natyrshëm dhe vrasësit fluturojnë”.
Nëpërmjet një postimi të shkurtër në rrjetin social Facebook, ai bën analogji me zhdukjen e verës me vlerë 4 mln euro nga bodrumi i ambienteve të Ergys Agasit, që ishte e sekuestruar nga SPAK, por u vodh mistershëm.
“Në narkoregjimin e Edi Ramës u “arratis” pa nam e nishan edhe kantina e tij personale e verës, “Romanée Conti”, që as ecën, as vrapon. Prandaj sot nuk ka asgjë të pazakontë në arratisjen e një killeri të rrezikshëm, i cili jo vetëm ka këmbë, por gëzon edhe mbrojtje shtetërore”, shkruan Blushi në postimin e tij.
Më tej ai ironizon duke thënë se tani është një “vijimësi logjike” gjithçka ndodh në Shqipëri, ku edhe vrasësit fluturojnë.
“Në një narkoregjim, kjo quhet vijimësi logjike: kur zhduken provat që nuk lëvizin, është krejt e natyrshme që vrasësit të fluturojnë”, përfundon ai.
Altin Ndoci u arratis sot (13 janar) në një dinamikë triller dhe mister nga ambientet e Infektivit të Spitalit të Burgut në Durrës, teksa SPAK e akuzon për të paktën 4 vrasje dhe krime të rënda, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai ishte dërguar për kontroll për probleme shëndetësore, por teksa kërkoi të kryente nevoja personale në tualet, goditi një nga efektivët dhe iku me vrap.


