Një ngjarje tronditëse është shënuar në fshatin Munellë të Pukës, ku është qëlluar me armë zjarri pranë banesës së fermerit Erjon Nikolli. Në vendin e ngjarjes policia gjeti gëzhoja arme dhe një mesazh kërcënues të shkruar mbi një gur:
“Ik se do të vdesësh.”
Erjon Nikolli, i kthyer rishtazi nga emigrimi, ka investuar në blegtori dhe kërkon të ndërtojë një jetë të qetë në vendin e tij. Në një prononcim për News24, ai tregoi momentet e panikut që ka përjetuar familja, e cila ndodhej në banesë në momentin e të shtënave.
“Dje u zgjuam me krisma. Kam qenë me nusen, kunatën dhe fëmijët. Nuk mund ta besoj që po përjetojmë diçka të tillë. S’kam probleme me askënd, përveç një konflikti verbal të vjetër me një bashkëfshatar,” u shpreh ai.
Nikolli theksoi se nuk kërkon më shumë se siguri dhe qetësi për të jetuar, ndërsa bëri thirrje për ndërhyrjen e institucioneve.
“Thirrja ime për shtetin është e qartë: dua vetëm të punoj dhe të jetoj i qetë. Kam investuar në bagëti për të ardhmen e familjes sime,” tha ai.
Situata është edhe më e rëndë për bashkëshorten, e cila ndodhet në muajin e nëntë të shtatzënisë:
“Jam e traumatizuar. Më duhet siguri, më duhet qetësi. Nuk është normale të jetosh kështu,” u shpreh ajo.
Policia e Pukës ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar prova nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje që ka shkaktuar tronditje në komunitet.