Gazetar: Adrian Kerimi
Burgu ndëshkues i “Idrizovës” në Shkup, nga data 5 gusht vazhdon të zvarrisë vendimin e Gjykatës Penale mbi bazën e të cilit i dënuari me burg të përjetshëm Shukri Tahiri nga Shkupi lirohet nga masa për 3 muaj për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Dokumentet deri tek të cilat ka arritur Televizionit Alsat dëshmojnë se Tahirit i është konstatuar sëmundja e kancerit në zorrën e trashë ndërsa i është metastazuar edhe në organet tjera. Në vendimin e gjykatës të sjell në bazë të raportit mjekësor thuhet: “I dënuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Është diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë dhe i metastazuar në organet tjera trupore. Nga analizat e bëra është konstatuar se nga kanceri i janë përfshirë zorra dymbëdhjetëgishtore, pankreasi, lukthi dhe mushkëritë (në fazën fillestare)”.
Të burgosurit të cilët kanë denoncuar rastin deri tek Televizioni Alsat thonë se gjendja të burgosurit Tahiri është duke u përkeqësuar në çdo moment, ndërsa autoritetet e burgut edhe pse janë njoftuar zyrtarisht me vendimin e gjykatës edhe i është kërkuar zbatimi i vendimit, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për lirimin e tij nën kushtin e kurimit spitalor ose shtëpiak.
I kontaktuar nga Alsat, drejtori i burgut të Idrizovës, Shpend Tairi na tha të martën do të ndërmerren masat e duhura dhe do të njoftohet opinioni.
Kujtojmë që më 27 janar të këtij viti, në burgun e Idrizovës ndërroi jetë Rexhail Qerimi ish i dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Alfa”. Në raportin e Avokatit të Popullit ishte konstatuar se pikërisht vonesa e intervenimit mjekësor është njëri ndër shkaqet e vdekjes./Alsat.mk