Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Ky është mesazhi i cili nga nxitur reagime të forta politike në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, pasi pretendohet se i njëjti është shkruar nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë – Ferit Hoxha. Ky mesazh vjen në kontekst të një diskutimi ku përmendet një shkrim i gazetës ‘Nova Makedonija’ lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama. Ministria e Jashtme shqiptare dhe Hoxha e kanë mohuar mesazhin duke thënë se komenti nuk është i vërtetë, shkruan Portalb.mk.
Si filloi?
Më 24 prill, deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë publikuan disa fotografi ‘screenshot’ nga një grup ku pretendohet se ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut – DenionMeidani ka dërguar një lajm të gazetës Nova Makedonija lidhur me një deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Ndërsa pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë – Ferit Hoxha ia ka kthyer duke thënë: Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?
Përplasje VLEN – BDI
Nga koalicioni VLEN që janë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ministri i Ekonomisë – Besar Durmishi e konsideroi si zhgënjyes dhe të papranueshëm fjalorin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
“Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti. I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar. Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut”, thaDurmishi.
Nga BDI-ja opozitare thonë se VLEN e konfirmoi edhe një herë rolin që ia ka caktuar VMRO-DPMNE: zëdhënës kundër Shqipërisë dhe kundër interesit shqiptar.
“Prej javësh Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sepse ecën përpara në procesin evropian. Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, Vlen u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE. Sot pamë diçka të paprecedentë: të përzgjedhurit e tyre shqiptarë në qeveri që sulmojnë Shqipërinë me gjuhë më të ashpër se partnerët e tyre maqedonas.
Në vend që të kërkojnë respektimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe kursin evropian të vendit, ata harxhojnë energji duke bërë betejat e VMRO-DPMNE-së. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për përfaqësues që përdoren si vegla kundër Tiranës sa herë e kërkon propaganda e qeverisë”, thanënga BDI.
Ragimet në Shqipëri
Për këtë rast reagime ka pasur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, të cilët i publikuan këto mesazhe. Deputeti Gazment Bardhi tha se është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”.
“Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen”, tha Bardhi.
Ai gjithashtu ka publikuar ‘screenshote’ të tjera ku pretendohet se Ferit Hoxha e ka fshirë mesazhin që bëri bujë.
Ministria e Jashtme: Nuk është e vërtetë
Në ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka quajtur këto pretendime të pavërteta dhe të fabrikuara për qëllime politike.
Në një intervistë për Albanian Post, ministri FeritHoxha t tha se kjo çështje tani më është sqaruar dhe se nuk ka çfarë të shtojë.
“Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente”, tha Hoxha.
Hoxha i cilëson shqiptarët atje si faktor shtetformues dhe element kyç për stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Ai thekson se respektimi i të drejtave të tyre, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin institucional, është një standard themelor demokratik dhe lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të vendit.
Ministri bën thirrje për unitet të shqiptar në Maqedoninë e Veriut për çështjet thelbësore, përtej ndarjeve politike.
“Është një domosdoshmëri jetike që shqiptarët atje të jenë të bashkuar në çështjet themelore, për të ruajtur dhe forcuar të drejtat, identitetin dhe rolin e tyre në shtet”, deklaron ai.
Reagime të shumta për këtë rast ka pasur edhe nga funksionarë dhe politikanë tjerë, brenda dhe jashtë vendit.


