Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 31-vjeçarit me të shkuar kriminale, Tauland Gjikaj (Beqiraj, Manaj), mesditën e djeshme, në Vlorë. Gazetari Enrik Mehmeti raporton për “BalkanWeb” se uniformat blu kanë identifikuar dy personat e shpallur në kërkim, si bashkëpunëtorë në krimin e rëndë.
Kështu, janë shpallur në kërkim shtetasit Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj, të cilët kanë ndihmuar autorin e krimit, 44-vjeçarin Hansi Jonuzi, në vrasjen e 31-vjeçarit. Gjithashtu, gjatë kontrollit në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi 3 gëzhoja pistolete dhe 1 kapuç.
“BalkanWeb” solli mbrëmjen e kaluar momentet e rënda të ekzekutimit të të riut, ku shihej se dy prej autorëve zbrisnin nga një makinë dhe i prisnin rrugën shënjestrës. Pas një bisede të shkurtër me të, ata e qëllojnë dhe largohen me shpejtësi, ndërsa 31-vjeçari rrëzohet në tokë, ku dhe ndërron jetë.



