Një rast i rëndë është raportuar dje pas mesnate në kryeqytet, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 18 gusht 2025, rreth orës 00:00, në rrugën “Lasgush Pogradeci” në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ato të NjRSh-së, të cilat kanë hasur disa persona pranë një veture, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Ndërkohë, qytetarë anonimë kanë dërguar video-incizime ku shihen katër persona duke mbajtur ndriçues dhe duke mbledhur diçka nga toka pikërisht në hapësirën ku policia ka sekuestruar gëzhojat.
Hetuesit kanë gjetur në vendin e ngjarjes 5 gëzhoja kalibër 9×19 mm, të cilat janë sekuestruar nga krim-teknika.
Katër të dyshuarit, të identifikuar si Shpëtim Cakiqi, 27-vjeçar, Levent Cakiqi, 21-vjeçare, Ganimete Rexhepi, 47-vjeçare dhe Marigona Gashi, 24-vjeçare janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me pëlqimin e tyre, policia ka kryer edhe bastisje në banesën e Ganimete Rexhepit në të njëjtën rrugë, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me urdhër të Prokurorit rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.