
Deklarata e përbashkët e partive shqiptare nuk ka prodhuar diçka të veçantë që shqiptarët më herët nuk e kanë ditur, vlerëson nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, i cili shtoi se të gjitha pikat e kësaj marrëveshje gjithashtu gjenden edhe në platformat e partive politike. Ai kërkoi që aktorët e caktuar politik të mos e përdorin këtë deklaratë vetëm për ta thelluar krizën politike në vend.
“Unë sinqerisht pres që aktorët politik të mos bëhen aq shpirtngushtë dhe shpirtvegjël që ta përdorin këtë deklaratë që të thellohet kriza në Maqedoni. Do të kisha dashur që aktorët politik në Maqedoni, ta shtyjnë vendin drejt zgjidhjes së krizës. Në qoftë se nuk mund BDI-ja e VMRO-ja si parti që e kanë drejtuar shumicën të bëjnë Qeveri, ka mundësi tjetër të numrave që BDI-ja mund të bëjë Qeveri me Aleancën, me PDSH-në dhe me LSDM-në. Dmth ekzistojnë edhe forma të tjera të Qeverisë politike, që të dilet prej kësaj krize”, deklaroi Ibrahimi.
Ai tha se Lëvizja BESA ende qëndron në atë se nuk do të bisedojë me VMRO-në për shkak të lidershipit të saj të inkriminuar, dhe njëkohësisht nuk do të bisedojë as me lidershpinin aktual të BDI-së.
“Me njerëz të cilët e kanë sjellur vendin në këtë gjendje të krizës së thellë, nuk mund të flasim për asnjë kombinim për t’u futur bashkë në asnjë qeverisje”, tha Ibrahimi.
Sipas tij, ajo që ndodh në Kuvend flet për gjendjen politike në shtet. Ai vlerëson se është thyer etika e Kuvendit ku sot merr pjesë edhe ish krimineli, Johan Tarçullovski, i cili ka kryer masakrën e Lubotenit, ndërsa deputetët shqiptarë as që e përmendën këtë fakt. /SHENJA/

