Nëse Maqedonia don anëtarësimin në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, atëherë duhet të përfundojë ky sistem i korruptuar i cili e ka kapur keq sistemin e drejtësisë, tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi i cili shtoi se kjo arrihet me vazhdimin e funksionimit të Prokurorisë Speciale e cila do t’i gjykonte të gjithë aktorët politik të cilët janë të dyshuar për keqpërdorime.
“Që të mund të bëhet kjo, ne e dimë se duhet te bëhet një Qeveri e cila ia zgjatë mandatin PSP-së dhe duhet të bëhet ose ndryshime kushtetuese që të bëhet një Gjykatë e cila do merret me rastet e ngritura të PSP-së, ose të krijohet një njësi e veçantë në kuadër të Gjykatës Penale që ato raste të procesuohen. Dhe kur ne e dimë se ka figura të larta politike të cilët janë në kreun e VMRO-së dhe të BDI-së të cilët mund të jenë nesër të dyshuar prej PSP-së dhe duhet të japin nesër llogari, mund të vijmë në konkludimin se a kanë ata interes të formojnë një Qeveri ose jo”, deklaroi Ibrahimi.
Sipas tij, edhe VMRO-ja edhe BDI-ja duan ta shfrytëzonë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare që të mos formohet Qeveria dhe të përfitojnë pikë politike, kinse i mbrojnë interesat kombëtare, njëra të maqedonasve e tjera të shqiptarëve.
“Po pse ata nuk i mbrojtën interesat e larta për kaq vite? Pse nuk ishte shkas shqipja, pse nuk ishte shkas barazia ekonomike, pse nuk ishte shkas përfaqësimi i shqiptarëve, që ata u futën në secilën Qeveri të VMRO-së e që sot thonë se, nuk e dimë a do të shkojmë në Qeveri me VMRO-në”, tha Ibrahimi në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA.
Ibrahimi shtoi më tej se, ata të cilët e shtynë vendin në krixë me qëllim që edhe një herë të shkohet në zgjedhje, ata nuk ua duan të mirën shqiptarëve e as shtetit. /SHENJA/

