Doktori i shkencave të Zoologjisë, Halil Ibrahimi, ka thënë se mikroplastika është prezente në secilin peshk në lumin Ibër.
Të enjten në “Konfront” në debatin mbi krimin mjedisor, Ibrahimi ka thënë se në Kosovë mikroplastikat janë në secilin organizën të gjallë që jeton në lumë.
“Kemi realizuar një hulumtim në lumin Ibër, që e kemi marrë si test-mjedis për hulumtim dhe e kemi parë që mikroplastikat që janë pasojë e një aspekti shumë të rëndësishëm të ndotjes që ne e shkaktojmë në mënyrë enorme në Kosovë, hulumtimi ka treguar që mikroplastikat janë në secilin organizëm të gjallë jetojnë në lumë, në insekte, në peshq që i përdorim për ushqim, e natyrisht nëpërmjet këtyre organizmave janë edhe te ne njerëzit”, ka thënë ai.
Ibrahimi e ka cilësuar situatën alarmante në aspektin e ndotjes, duke treguar se çfarë lloj mbeturinash mund të gjenden në lumë.
“Situata është alarmante në aspektin e ndotjes, sidomos në lumenj ku gjinden të gjitha llojet e mundshme të mbeturinave, prej gotave, enët, tenxhere deri te shtretërit, karriget, mobile, vitrina, teknikë të bardhë. Situata është alarmante për botën e gjallë, për biodiversitetin”, ka thënë ai. /Koha