
Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, ka thënë se në Maqedoni do të zhvillohet një dramë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së në ditët kur pritet formimi i Qeverisë së re.
Ja postimi i plotë në Facebook i nënkrytearit të Lëvizjes BESA:
“Drama më e re në Maqedoni do të luhet këto ditë mes mbrojtësve të maqedonizmës, të përfaqësuar nga VMRO-DPMNE-ja, e cila nuk do ta pranojë dygjuhësinë dhe kërkesat e Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni, dhe mbrojtësve të shqiptarisë, të përfaqësuar nga BDI-ja, e cila nuk do të pranojë të negociojë me dikë që nuk do ta pranojë dygjuhësinë dhe kërkesat e Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni.
E vetmja gjë që duhet të shpjegojnë këto dy subjekte është se për çfarë interesash atëherë i kanë lidhur marrëveshjet e kaluara qeveritare? Nëse atëherë nuk kanë mbrojtur interesa maqedonase e as interesa shqiptare, madje as interesa shtetërore, i bie të konkludojmë se marrëveshjet e kaluara kanë qenë vetëm për të ndarë tenderë dhe biznese.
Sidoqoftë, vendi po shkon në zgjedhje të reja, ndërsa BDI-ja po perëndon në historinë e turpit.”