Afatet për kapërcimin e pengesave varen plotësisht nga ju. Këtu po dëgjoj gjithnjë e më shpesh shqetësime se marrëdhëniet me Bullgarinë po përdoren si justifikim i përshtatshëm për mungesën e vullnetit apo aftësisë për të ndërmarrë reformat e domosdoshme. Nuk dua ta besoj këtë argument. Me shumë shpresë, do të lejoj veten të citoj Presidenten Ursula von der Leyen: “Topi është në fushën tuaj”… thotë për gazetën KOHA, ambasadori i Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Jeliasko Radoukov
Bisedoi: Vedat MEMEDALIU
KOHA: Ambasador, Bullgaria po vendos një procedurë të re në kufi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Çfarë e ka nxitur këtë vendim?
RADOUKOV: Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e Zonës Shengen. Si e tillë, ajo ka marrë përsipër disa detyrime që lidhen me sigurinë e kufijve të hapësirës sonë të përbashkët evropiane. Ndryshimet në regjimin e kontrollit kufitar, të zbatuara përmes sistemit të ri Entry/Exit System (EES), janë pjesë e këtyre detyrimeve evropiane dhe po zbatohen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe Shengenit.
KOHA: Në çfarë konsistojnë saktësisht këto ndryshime?
RADOUKOV: Që nga 12 tetori 2025, EES është duke u vënë në zbatim në mënyrë të fazuar në të gjithë BE-në, përfshirë edhe Bullgarinë. Ai tashmë zbatohet në të gjitha pikat kufitare ajrore dhe detare të Bullgarisë, për të gjithë udhëtarët që vijnë nga vende jashtë Zonës Shengen. Në pikat kufitare tokësore me Republikën e Maqedonisë së Veriut – Gjueshevë, Stanke Lisiçkovë dhe Zlatarevë, sistemi pritet të fillojë funksionimin brenda tre muajve.
Për shtetasit e huaj që hyjnë në Bullgari, kjo do të thotë se të dhënat biometrike do të regjistrohen në kufi. Procesi përfshin fotografimin dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve. Ai do të zhvillohet në ambiente të posaçme, dhe oficerët kufitarë bullgarë do të udhëheqin udhëtarët gjatë procedurës, me kontakt vizual dhe mundësi komunikimi. Pas futjes së EES, nuk kërkohet regjistrim paraprak apo pagesë. Këto do të kërkohen më vonë, në kuadër të një sistemi tjetër – Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.
KOHA: A nuk do të shtohen ndjeshëm pritjet në kufi?
RADOUKOV: Kemi bërë gjithçka që ishte e mundur dhe presim që procedura shtesë të jetë shumë e shkurtër (2-3 minuta). Udhëtarët do të informohen në vetë pikat kufitare përmes broshurave dhe videove informuese që do të shfaqen në monitorë të posaçëm. Kur do të nevojiten kontrolle shtesë për disa persona, ata do të drejtohen në sportele të veçanta për të mos u vonuar të tjerët. Në rast të grumbullimeve të mëdha, mund të lejohet që disa udhëtarë të kalojnë pa regjistrim në EES, por këto do të jenë rrethana të jashtëzakonshme.
KOHA: Megjithatë, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të trajtohen ndryshe nga ata të BE-së. Kryeministri Hristijan Mickoski tha së fundmi se do t’i kërkojë Presidentes së Komisionit Evropian që këto procedura të hiqen për ne. A është e mundur kjo?
RADOUKOV: Zbatimi i këtyre masave është pjesë e sigurisë së përbashkët evropiane. Nuk është e mundur të jepen përjashtime për ndonjë vend të veçantë. Të mbetesh jashtë Bashkimit Evropian ka një kosto të lartë në shumë dimensione – politike, ekonomike, shoqërore e të tjera. Pa përmbushur kriteret e kërkuara – dhe të gjithë i dimë cilat janë ato – Maqedonia e Veriut nuk mund të presë përjashtime individuale.
KOHA: Po për ata qytetarë të Maqedonisë së Veriut që kanë edhe shtetësi bullgare?
RADOUKOV: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që, në bazë të vetëidentifikimit dhe prejardhjes, kanë fituar ose do të fitojnë shtetësinë bullgare, gëzojnë privilegjin e shtetësisë së BE-së. Për ta, Bullgaria ka siguruar që procedurat e përmendura nuk do të zbatohen.
KOHA: Më 1 janar 2026, Bullgaria do të bëhet anëtare e Eurozonës. Çfarë do të thotë kjo për vendin tuaj?
RADOUKOV: Procesi i integrimit evropian nuk përfundon me anëtarësimin formal në Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit, çdo shtet i ri merr përsipër detyrimin për t’iu bashkuar edhe zonës euro dhe zonës Shengen, sapo të plotësojë kriteret përkatëse. Të dyja këto procese kërkojnë reforma të thella në fushën e financave, disiplinës fiskale, sigurisë së dokumenteve të identitetit dhe mbrojtjes së kufijve.
Bullgaria i ka përballuar me sukses këto sfida dhe, pasi u bë anëtare e plotë e Shengenit në fillim të vitit 2025, do t’i bashkohet Zonës Euro më 1 janar 2026. Ky është një sukses historik për Bullgarinë, rezultat i shumë viteve përpjekjesh, politikash të qëndrueshme dhe veprimesh të vazhdueshme të qeverive të ndryshme. Jam krenar që arritja e këtij qëllimi e çon procesin tonë të integrimit të plotë evropian drejt përfundimit të tij të suksesshëm.
KOHA: Çfarë presin qytetarët bullgarë nga hyrja në Eurozonë?
RADOUKOV: Për bizneset, euroja do të sjellë stabilitet të normave të interesit, eliminim të kostove të këmbimit valutor dhe më shumë siguri dhe parashikueshmëri për zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja. Ajo do ta lehtësojë tregtinë dhe do të nxisë kompanitë bullgare të rrisin efikasitetin dhe inovacionin. Për qytetarët, një monedhë e qëndrueshme dhe rritja ekonomike do të çojnë në rritje të standardit të jetesës, me mundësi më të mira për arsim, udhëtime dhe punësim. Kjo do të çojë drejt një rritjeje të qëndrueshme të mirëqenies.
Për më tepër, me hyrjen në zonën e përbashkët monetare, Bullgaria do të rrisë ndikimin e saj politik në BE dhe rolin e saj në politikën monetare të Unionit. Guvernatori i Bankës Kombëtare Bullgare do të ketë të drejtë vote në vendimet e Bankës Qendrore Evropiane, ndërsa përfaqësues bullgarë do të marrin pjesë në të gjitha formatet e eurozonës në nivel të BE-së. Kjo i jep Bullgarisë mjetet për të ndërtuar më fuqishëm të ardhmen e saj. Prandaj, sondazhet e njëpasnjëshme tregojnë se hyrja në eurozonë gëzon mbështetje gjithnjë e më të madhe nga qytetarët bullgarë.
KOHA: Çfarë do të thotë hyrja në Eurozonë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që bëjnë biznes dhe mbajnë llogari bankare në Bullgari, apo për ata që mbajnë leva bullgare në para të gatshme?
RADOUKOV: Përveç përfitimeve të përgjithshme nga hyrja në eurozonë, qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë llogari në leva mund të jenë të qetë: më 1 janar 2026, bilancet e tyre do të konvertohen automatikisht dhe falas në euro, me kursin fiks 1.95583 leva për 1 euro. Të gjitha detajet e tjera të llogarive (përfshirë IBAN-in) do të mbeten të pandryshuara. Nga e njëjta datë, bankomatet në Bullgari do të shpërndajnë vetëm bankënota euro.
Sa i përket parave në leva në dorë, ato do të mund të përdoren si monedhë ligjore në territorin e Bullgarisë deri më 31 janar 2026. Për pagesat me leva gjatë kësaj periudhe, kusuri do të jepet në euro.
Pas kësaj date, qytetarët mund t’i konvertojnë levat në euro falas në bankat tregtare bullgare dhe në zyrat postare bullgare (në vendbanimet pa degë bankare) deri më 30 qershor 2026, ose në Bankën Kombëtare Bullgare – pa afat, falas dhe pa kufizime. Pas 1 korrikut 2026, bankat dhe postat bullgare do të mund të këmbejnë euro për leva, por me një tarifë shërbimi.
KOHA: A prisni që ky ndryshim të përmirësojë më tej klimën e biznesit në Bullgari?
RADOUKOV: Natyrisht. Të gjitha përfitimet e përmendura vlejnë edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që duan të zhvillojnë biznes në BE përmes Bullgarisë. Ne përshëndesim trendin në rritje të regjistrimit të kompanive dhe zhvendosjes së bizneseve – plotësisht ose pjesërisht – në vendin tonë. Atje, sipërmarrësit mund të mbështeten në kapacitetin administrativ të lartë dhe procedura transparente e të parashikueshme, përveç përparësive të mëdha të tregut unik evropian dhe monedhës së përbashkët.
KOHA: Në këtë kuadër, dua t’ju pyes për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut! A ekziston, dhe brenda çfarë afatesh mund të shpresojmë se pengesat aktuale do të kapërcehen?
RADOUKOV: Perspektiva evropiane e vendit tuaj ekziston qartë, dhe arritja e saj varet vetëm nga vullneti politik dhe shoqëror në Maqedoninë e Veriut për të përmbushur kushtet e dakorduara prej kohësh nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Ne kemi bërë përpjekje për ta mbështetur këtë vendosmëri – siç ju kujtohet, disa muaj më parë, Parlamenti bullgar miratoi një vendim ligjërisht të detyrueshëm, i cili jo vetëm që konfirmoi respektimin tonë të plotë të Marrëveshjes evropiane të vitit 2022, por gjithashtu theksoi qartë se nuk do të shkojmë përtej kornizës së saj. Nuk mund të ketë garanci më të mirë për t’ju parë si anëtarë të vlefshëm të Unionit tonë.
Në këtë kuptim, afatet për kapërcimin e pengesave varen plotësisht nga ju. Këtu po dëgjoj gjithnjë e më shpesh shqetësime se marrëdhëniet me Bullgarinë po përdoren si justifikim i përshtatshëm për mungesën e vullnetit apo aftësisë për të ndërmarrë reformat e domosdoshme. Nuk dua ta besoj këtë argument. Me shumë shpresë, do të lejoj veten të citoj Presidenten Ursula von der Leyen: “Topi është në fushën tuaj”.




