Emisioni më i ri i “Krejt Ka Pak” me Milot Hasimjen, këtë javë na çon në Deçan, gjegjësisht në hotelet e braktisura të kësaj ane.
Dy hotelet për të cilat autori i emisionit ka folur me njerëz që dikur i kanë drejtuar ato, tanimë kanë mbetur vetëm si gërmadha të shkatërruara nga koha, por edhe nga dora e njeriut.
Objektet në fjalë tani janë nën menaxhimin e Manastirit të Deçanit, dhe për pasojë, dora e shtetit nuk mund të bëjë asgjë më për to.
Selim Ramosaj, ish-drejtor i N.H. “Iliria”, me lot në sy shprehet: “Na i mori Manastiri i Deçanit. Nuk më merr gjumi natën”.
Qerim Ramosaj, ish-punëtor i N.H. “Iliria”, thotë: “Vallahi gjynah, lot po më shkojnë kur p’e shoh”.
Ai kujton kohën kur Mahmut Bakalli, ish-lideri komunist, pati vizituar këtë hotel. “Erdh me pushkë, me muzikë vike, mezen ja kojke”, shprehet Qerimi.
Selimi, nga ana tjetër, thotë se hotelin “Iliria”, e ka vizituar edhe Josip Broz Tito. “Edhe Tito ka ardhë, i prijke Mahmut Bakalli e Fadil Hoxha”.
Haki Loshaj, ish-punëtor i “Ilirisë”, u kthye në ish-vendin e tij të punës pas 26 vitesh. “Shumë gjynah”, tha ai kur pa gjendjen në të cilën gjendet objekti në fjalë.
Thuhet se mbi 500 mijë dollarë inventar janë marrë dhe janë dërguar në Hotelin Grand në Prishtinë.
Ish-drejtori Selim Ramosaj thotë se “ka pas shyhret, pa muzikë s’ke mujt me nejt këtu”.
“Nuk po më merr gjumi prej kujtimeve”, potencoi ai.
20 vilat e shkatërruara të hotelit të Deçanit, sot janë pronë e Manastirit të Deçanit.
“Veç tomël të zogjve që s’ka pas, ma mirë se Brezovica”, tha Qerim Ramosaj.