Viti 2022! Ngjan e pabesueshme, por gjakmarrja që daton prej shekujsh vijon të marrë jetë njerëzish në Shqipëri. Mungesa e drejtësisë shtyn shqiptarët drejt kanunit, duke bërë vetëgjyqësi. Rasti më i fundit u shënua sot në fshatin Manati të Lezhës, ku një djalë vetëm 17 vjeç u bë vrasës. Florian Përvathi “fundosi” ëndërrat, rininë, gjithë jetën e tij, duke i marrë jetën një të pafajshëmi në emër të kanunit. Adoleshenti i rritur jetim vrau me 4 plumba pistolete 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, vëllain e vrasësit të babait të tij. Viktima u qëllua në oborrin e të vëllait, Ndue Lekgjonaj, i cili i mori jetën të atit të Florianit dhe aktualisht ndodhet në qeli. Pas dorëzimit në Polici, së bashku me armën tip pistoletë me të cilin kreu vrasjen, 17-vjeçari tregoi se gjithçka e bëri për të marrë hakun e të atit që u vra në vitin 2009. Ngjarja e ndodhur mesditën e sotme shkatërroi jo vetëm autorin dhe familjarët e vitimës, por i hap udhë gjakmarrjes mes dy famileve Përvathi dhe Lekgjonaj.
VRASJA E BABAIT
Gjithçka nisi 13 vjet më parë dhe konkretisht në nëntor të vitit 2009. Gjon Përvathi (i ati i 17-vjeçarit) u ekzekutua nga Ndue Lekgjonaj me motivin se i kishte bllokuar rrugën. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën kryesore që lidh Lezhën me Laçin. Në hyrje të Lezhës, e shumë pranë vendbanimit, që nga makina autori Lekgjonaj, rreth 50 vjeç, ka qëlluar me breshëri automatiku. Dy plumba i morën jetën shënjestrës së tij. Lekgjonaj, teksa tentoi që të largohej nga skena e krimit, aksidentoi edhe djalin e madh të viktimës, Danielin (vëllain e Florianit) e të afërmin e tyre, Gjergj Përvathi por fatmirësisht pa u kushtuar jetën. Pasi kreu vrasjen, Lekgjonaj u vetëdorëzua në Polici, duke pranuar edhe plagosjen e dy personave të tjerë në po në të njëjtën ngjarje. Tragjedia e familjes Përvathi nuk përfundoi këtu. Martine Përvathi ndërroi jetë pak orë pas vrasjes së të shoqit. Nga të afërm e dëshmitarë që panë skenën e krimit, 40-vjeçarja ka mësuar se veç të shoqit, kishte vdekur dhe i biri. E rënduar nga ky lajm, gruaja ka kaluar në gjendje të rëndë depresive, duke pirë një sasi fostoksine, e cila ka qenë fatale për jetën. Edhe më herët, Gjon Përvathi ishte bërë protagonist i një sherri me armë me fqinjët e tij, Lekgjonajt. Ata shpeshherë ishin konfliktuar për kufirin e pronave që kishin dy familjet, derisa në 2008 Lekgjonaj kapi një nga delet e fqinjit që kishin hyrë në tokën e tij, duke u therur. Për vrasjen me dashje të Gjon Përvathit, Ndue Lekgjonaj u dënua me 10 vite burgim një dekadë më parë. Dhënia e minimumit të dënimit dhe aplikimi i dënimit të shkurtuar bëri që ai të lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit.
DRAMA QË “SHENJOI” PËRVATHIN
Në kohën kur iu vra babai dhe i vdiq e ëma, Florian Përvathi ende nuk i kishte mbushur 4 vjeç. Ai u rrit jetim, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve e përndoqi makthi për humbjen e prindërve të tij. Nisur nga ngjarja e sotme rezulton se Përvathi ka ushqyer tek vetja ndjenjën e hakmarrjes. Ndjenjë kjo që jo në pak raste ushqehet dhe nga opinioni që vë në sedër djemtë duke iu përmendur mosmarrjen e gjakut të të afërmëve të vrarë. 17-vjeccari duket se ka pritur momentin e duhur për të marrë hakun e babait. Por dita e sotme shënoi kthesën më të madhe në jetën e tij, pasi ai do të përballet me drejtësinë.



