Janë zbuluar detaje të reja mbi 46 vjeçarin Altin Halili, ndaj të cilit iu bë atentat me armë zjarri pasditen e sotme në Berat.
Mësohet se Altin Halili ka kryer një vrasje në vitin e errët 1997. Ai ka vrarë shtetasin Sokol Kaloshin në Rremas të Lushnjës.
Halili është liruar nga burgu në vitin 2010, kur ka përfunduar afatin e dënimit të tij me heqje lirie.
Kujtojmë se atentati me armë zjarri ndaj tij u zhvillua rreth orës 16:10 në rrugën e fshatit Dushnik të Beratit, teksa 46 vjeçari po lëvizte me makinën e tij.
Në fshatin Kozare është gjendur një automjet i djegur, i dyshuar si e autorëve të kësaj ngjarje.
Sakaq, uniformat blu kanë arritur të identifikojnë autorët, të cilët dyshohen se janë duke u fshehur në Fier, por nuk ka publikuar të dhëna mbi ‘ta për arsye të hetimeve.
Ende nuk dihet nëse atentati i zhvilluar ndaj Halilit lidhet me motiv hakmarrjen ndaj vrasjes së këtij të fundit, apo me ndonjë ngjarje tjetër.
Priten raportime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndërkohë po vijon hetimet për zbardhjen e motivit të kësaj ngjarje dhe dokumentimin e saj.