Policia e Dubait arrestoi sot futbollistin holandez Kuinsi Promes, për shkak të një kërkese nga gjyqësori holandez për ekstradimin e tij.
Avokati i Promes, Cem Polat, konfirmoi lajmin e arrestimit, por nuk deshi të bënte komente të mëtejshme.
Arrestimi u krye në shtëpinë e Promes, pak pas mesnatës së enjtes, dhe ish-lojtari i kombëtares holandeze u transferua në qendrën e paraburgimit në Dubai.
Nëse procedurat e ekstradimit konfirmohen, ish-lojtari i Ajaks do të transferohet në Holandë nën mbikëqyrjen e Policisë Ushtarake Mbretërore, ku pritet të vuajë dënimin shtatë vjet burg.
Arrestimi vjen një javë pasi avokati i tij i kërkoi Gjykatës së Apelit të Amsterdamit të rrëzonte urdhër-arrestin, por gjykata e hodhi poshtë kërkesën.
Promes u dënua fillimisht me një vit e gjysmë burg për plagosjen me thikë të kushëririt të tij, por dënimi i tij u zgjat më vonë me gjashtë vjet të tjera për përfshirjen e tij në trafikun e narkotikëve. Apeli është ende në pritje.