Katër persona janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar dhe dhunuar për shkak të detyrës, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan mjetin e efektivëve dhe ambientet e komisariatit.
Policia bën e dije se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale A. Sh, 37 vjeç, A. Xh, 32 vjeç, B. Xh, 30 vjeç, të tre banues në Kukës, dhe B. Xh, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i policisë
Kundërshtuan dhe goditën për shkak të detyrës, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan mjetin e Policisë, vihen në pranga 4 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor gjatë patrullimit në sektor, në rrugën “Mikel Maruli”, kanë konstatuar një automjet, në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, (drejtuesi i automjetit vijoi lëvizjen me automjet edhe pse semafori kishte ndezur dritën e ndalim qarkullimit).
Punonjësit e Policisë Rrugore kanë ndjekur automjetin të cilin drejtuesi porsa ka parë Policinë e ka parkuar dhe vetë ka vijuar lëvizjen në këmbë, por është ndaluar nga shërbimet e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme administrative për shkeljen e konstatuar.
Gjatë komunikimit të shkeljes së konstatuar, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Sh., së bashku me 3 shtetas të tjerë, kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr.6, për të penguar shoqërimin e tyre në Komisariat.
Në vijim të verifikimeve ka rezultuar se shtetasi A.Sh, drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Gjatë shoqërimit në Komisariat këta shtetas kanë dëmtuar mjetin e policisë si dhe kanë dëmtuar derën e ambienteve të shoqërimit.
Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, arrestuan në flagrancë shtetasit: A. Sh, 37 vjeç, A. Xh, 32 vjeç, B. Xh, 30 vjeç, të tre banues në Kukës, dhe B. Xh, 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“, “Kanosja për shkak të detyrës“, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës“ e kryer në bashkëpunim, dhe “ Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.