Prokuroria e Kukësit i ka sekuestruar pasuritë shtetasit Fatjon Dautaj dhe të afërmeve të tij, me dyshimin se janë të përfituara nga veprimtaritë kriminale të tij.
Dautaj ka qenë më parë i arrestuar për “vrasje të mbetur në tentativë” nga policia Metropolitane e Londrës, si dhe nën hetim nga Agjencia Kombëtare kundër Krimeve po në Angli për veprat penale “trafik droge” dhe “pastrim parash”.
Ai akuzohet për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Një ditë më parë, i janë sekuestruar pasuritë e mëposhtme:
– Pasuria e llojit “Njësi” me sip. 100m2;
– Pasuria e llojit “Truall” me sip. 64m2 dhe “ndërtesë” 64m2; si dhe
– Pasuria nr. 7/285-N3, me sipërfaqe 30m2.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Kukësit kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasit F.D. i arrestuar në Londër për ‘Trafik droge’ e ‘Pastrim parash’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i ka kërkuar Gjykatës Kukës konfiskimin e pasurive të shtetasit F.D. dhe të afërmve të tij nën akuzë për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Shtetasi F. D., ka qenë i arrestuar nga policia Metropolitane e Londrës për veprën penale të “Vrasjes mbetur në tentativë”, si dhe ka qenë në hetim nga Agjensia Kombëtare kundër Krimeve në Angli për veprën penale “Trafik droge” dhe “Pastrim parash”. Më datë 06.09.2013 në makinën e shtetasit F.D janë gjetur 3 kg kokainë dhe më datë 05.03.2014 i janë gjetur 64 450 paund që dyshohet se kanë lidhje me trafikun e drogës.
Pas sekuestrimit të pasurisë për shtetasin në fjalë, më datë 19.09.2024 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kërkoi konfiskimin e pasurive të mëposhtme:
– Pasuria e llojit “Njësi” me sip. 100m2;
– Pasuria e llojit “Truall” me sip. 64m2 dhe “ndërtesë” 64m2; si dhe
– Pasuria nr. 7/285-N3, me sipërfaqe 30m2.
Kush është Fatjon Dautaj
39-vjeçari, i cili mori vëmendjen pasi shkelmoi derën e Partisë Demokratike në dhjetor 2021, rezulton me precedentë kriminal dhe është cilësuar si person i rrezikshëm në Britani.
Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) ai është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.
Sipas mediave britanike Dauitaj është një gangster, “pa gjurmë financiare” në Mbretërinë e Bashkuar që ka një “Piano Bar” në Shqipëri.
Ai u bë qytetar i përhershëm në gusht 2017, por “Home Office” e revokoi atë në shtator të 2019-ës, bazuar në inteligjencën nga NCA, e cila po hetonte rrjetin e tij, por nuk kishte qenë në gjendje ta akuzonte atë.
Dauti mohon përfshirjen në krim dhe argumentoi gjatë apelit që ai thjesht e njeh shoqërisht ose ishte në lidhje me disa anëtarë të tjerë të bandës që po hetohej.
Këtu përfshihej kushëriri Alket Dauti, 33 vjeç, i cili u arrestua nga oficerët e NCA në qershor të 2018-ës në Penge, në jug të Londrës, dy muaj pasi u takua me Dautinm, para se të ekstradohej në Belgjikë në janar të vitit 2019 për të vuajtur një dënim prej 10 vitesh.