Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë Kurti, duke e akuzuar për keqqeverisje dhe neglizhencë ndaj qytetarëve më të ndjeshëm të vendit.
Në reagimin e saj publik, Bajrami tha se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) është duke u përballur me mungesë të materialeve për procesin e hemodializës.
” Edhe hemodializën e kanë lënë pa material – kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit. Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, që i ka zhvilluar negociatat në restorantin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, e që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë euro… është po i njëjti që ka lejuar që energjia e importuar të blihet jashtë bursës, drejtpërdrejt nga NOA,” ka shkruar Bajrami në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se situata është e papranueshme dhe se përgjegjësia për mungesën e materialeve bie drejtpërdrejt mbi qeverinë.


