Të ardhurat personale do të tatimohen me një shkallë prej 10 për qind
Fillon zbatimi i ndryshimeve të Ligjit për tatimin e të ardhurave personale me të ndërpritet zbatimi i tatimit progresiv të të ardhurave personale. Në 36 muajt në vijim të ardhurat nga puna, të ardhurat nga veprimtaria e pavarur, të ardhurat nga të drejtat autoriale dhe të ngjashme, si dhe të ardhurat nga shitja e prodhimeve vetanake bujqësore do të tatimohen me shkallë prej 10 për qind. Do të ndërpritet edhe shkalla prej 15 për qind, që do të thotë se shkalla prej 10 për qind do të zbatohet edhe për tatimim të të ardhurave nga të drejtat e pronësisë industriale, qiraja dhe nënqiratë, kapitali, përfitimet kapitale, nga sigurimi i të ardhurave të tjera.
Ministrja e Financave, Nina Angellovska, kur i paralajmëroi ndryshimet e Ligjit për tatim të të ardhurave personale, tha se nuk bëhet fjalë për heqjen e tij, si dhe se qëndrim i Qeverisë është që tatimi progresiv mund ta përmirësojë shpërndarjen e të ardhurave në sistem dhe të japë efekte më të mira shoqërore që do të rezultonte me një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
“Që të arrihet një efekt i tillë, tatimi progresiv duhet të ketë dizajn optimal në qendër të të cilit është amvisëria, të sillet në proces konsultativ me të gjitha palët e prekura, të ekzistojnë mekanizma efikas për eliminimin e ekonomisë gri dhe të ketë besim të përforcuar në institucione si dhe të vendosen procese efikase dhe efektive me shfrytëzimin e potencialit nga teknologjia, me qëllim të uljes së barrës administrative, që do të shpërndahet tek të gjithë”, tha atëherë Angellovska.
Vendimi për ndërprerjen e tatimit progresiv është sjellë në bazë të analizës së një numri të madh të dhënash, që mundësojnë të nxirret tendenca dhe të sillet konkludim në bazë të paraqitjes elektronike dhe pagesës së tatimit të të ardhurave personale. Sipas analizës, të ardhurat të cilat mund të grumbullohen nga tatimimi progresiv dhe shkalla më e lartë e të ardhurave personale janë më të vogla për 51,2 për qind në raport me potencialin. Gjithsej të ardhurat e humbura që mund të sigurohen, e që nuk janë siguruar, janë vlerësuar në 6,5 milionë euro, por nuk i ka marrë për shkak të ndryshimit në sjelljen e obliguesve tatimor, tregon analiza.
Prej 1 janarit rritet edhe pragu për TVSH obligues prej një milion denarë në dy milionë denarë. Me ndryshimet në Ligjin për tatim të vlerës së shtuar ndryshohet edhe periudha në të cilën obliguesi është i detyruar të mbetet në sistemin e TVSH-së dhe ai shkurtohet në tre vite nga pesë vitet rrjedhëse. Me këtë, të gjithë personat juridik dhe fizik të cilët në vitin 2019 nuk e tejkaluan pragun e sapovendosur, do të munden vullnetarisht të çregjistrohen nga sistemi.
Prej fillimit të muajit të ardhshëm shtyhet zbatimi i dy vendimeve tatimore. Nuk do të fillojë tatimimi i përfitimeve kapitale të letrave me vlerë. Vendimi i ri që do të hyjë në fuqi prej vitit 2023 i prëfshin në tatimim edhe pjesëmarrjet nga fondet investuese, të cilat me vendimin e deritanishëm ishin lënë anash. Vendosen dy shkallë tatimore, varësisht nga periudha e posedimit të letrave me vlerë dhe pjesëmarrjet, përkatësisht, shkalla prej 15 për qind për të gjithë ata të cilët në mënyrë spekulative tregtojnë në tregjet e kapitalit, përkatësisht të njejtat i mbajnë tek ata vetë deri një vit dhe shkalla prej 10 për qind me të cilën do të tatimohen të ardhurat nga fitimet kapitale nga letrat me vlerë dhe pjesëmarrjet e lëshuara nga fondet investuese, të cilat investuesit i ruajnë prej një deri 10 vite. TË liruar nga ky tatim do të jenë investuesit afatgjatë të cilët letrat me vlerë dhe pjesëmarrjet e lëshuara nga fondet investuese i ruajnë mbi 10 vite nga dita e shitjes, por edhe letrat me vlerë të përfituara nga oferta iniciale publike, me qëllim të inkurajimit të kompanive për hapje fillestare ndaj opinionit përmes lëshimeve të aksioneve me anë të ofertës iniciale publike. Zbatimi i dispozitave nga Ligji nuk do t’i lihet ngarkesë qytetarëve dhe tatimi automatikisht do të përllogaritet dhe paguhet në Buxhet.
Prej një janarit të vitit 2020 nuk do të fillojë edhe zbatimi i tatimit të normave të interesit nga depozitet. Vendimi për shtyrje bazohet në nevojën e rirregullimit normativ për njoftim nga ana e bankave dhe kursimoret, si dhe thjeshtësim të administrimit të tatimit. Plotësisht, me fillimin e shtyrë të tatimimit të përfitimeve kapitale dhe normave të kursimit, prej vitit 2023 do të barazohet trajtimi i kursimeve me investimin afatgjatë të qytetarëve në tregun e kapitalit.



