Besnik Bislimi
Neve na është thënë për “Zajednicën” se është OJQ. Unë nuk e di që në historikun modern palët ndërkombëtarisht takohen me muaj dhe arrijnë marrëveshje për një OJQ, e më pas për këtë OJQ definohen kategoritë ligjore, raportet me autoritetet qendrore, linjat e veçanta buxhetore, e të tjera. Vetë dokumentet tregojnë se çfarë peshe ka ky asociacion dhe është në kundërshtim me deklaratat publike të qeveritarëve.
“Zajednica” në rrafshin teorik paraqet formën më ekstreme të decentralizimit asimetrik. Decentralizimi asimetrik është një proces gjatë të cilit disa pjesëve brenda territorit u jepen kompetenca të veçanta, përmes së cilave vendimmarrja në nivelin qendror shpreson ta ruaj integritetin e vendit. Kjo meqë ekziston një frikë se nëse nuk jepet një autonomi aq e lartë, ajo pjesë rrezikon të shkëputet. Kemi raste si në Spanjë, Belgjikë, Itali, Zvicër dhe Rusi që kanë hyrë në decentralizim asimetrik, por në asnjërin prej tyre, ky proces nuk ka shkuar deri aty sa të minojë funksionimin normal të nivelit qendror. Pra, baskët kanë autonomi, por kjo autonomi është kryesisht në rrafshin fiskal. Ata i grumbullojnë të hyrat dhe i mbajnë aty por assesi nuk kanë fuqi bllokuese ndaj nivelit qendror dhe nuk janë kategori kushtetuese që të mund të propozojnë ligje në nivelin qendror. Pra, nuk e pamundësojnë funksionimin e Spanjës si shtet. Diçka të ngjashme kemi edhe me 1% të popullatës gjermane në Belgjikë, që kanë autonomi të veçantë që nënkupton shkolla në gjuhën gjermane por kurrsesi nuk mund ta bllokojnë vendimmarrjen në nivel qendror.
Ka shumë kanale përmes të cilave decentralizimi asimetrik nga një instrument që synon ruajtjen e integritetit të vendit, kalon në një instrument që e përshpejton dezintegritetin e shtetit. Njëri prej këtyre kanaleve është ndikimi në politikat fiskale. Çdo decentralizim asimetrik që u jep fuqi më të madhe disa komunave, pyetjen kryesore e ka kush merr dhe kush paguan? Cilat kompetenca i ndahen cilit territor, dhe kush paguan për ato kompetenca? Zakonisht këtu lind pakënaqësia nga komunat që duhet të paguajnë për disa kompetenca shtesë që iu kanë dhënë disa komunave tjera. Përmes fondit për zhvillimin e veriut që është krijuar nga bisedimet në Bruksel, është atakuar në thelb uniteti i sistemit fiskal në Kosovë. Qysh në start, Qeveria e Kosova ka qenë e vetëdijshme për këtë atakim dhe e ka shprehur gatishmërinë që ta sakrifikojë kualitetin e politikave fiskale për hir të dhënies së kompetencave shtesë komunave në veri. Në një shtet si Kosova pa monedhë të veten dhe me kufizime të mëdha në politika monetare, është shumë rrezik nëse në proces dëmtohet edhe aftësia e politikave fiskale që të veprojnë në tërë territorin e shtetit.
Ndikimi tjetër që na vjen nga ky decentralizimi asimetrik është edhe në rritjen ekonomike. Po krijohet një nivel i tretë i qeverisjes që nënkupton të punësuar shtesë, legalizim të strukturave paralele që janë haptas kundër Republikës së Kosovës, dhe që këtë tani do ta bëjnë legalisht duke u financuar nga buxheti i shtetit. Kjo krijon tension dhe ndikon negativisht në ardhjen e investimeve të huaja, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një shtet që nuk është politikisht I stabilizuar në nivel të mjaftueshëm. Për më tepër, humbet kontrolli në resurset tona strategjike ujore dhe minerare si dhe kemi ndërhyrje direkte të shtetit në punën e institucioneve që do duhej të ishin të pavarura, siç është rasti me marrëveshjet për telekomunikacion dhe energji, që ndërhyjnë në punën e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe Autoritetit Rregullativ të Energjisë, që janë institucioneve të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kuvendit, pra nuk janë nën kompetencat e Qeverisë. Njëkohësisht kemi ndikim në zhvillimin ekonomik përmes kanalit të korrupsionit. Në një vend si Kosova, ku i gjithë truri është i përqendruar në qendër, decentralizimi i tillë nënkupton decentralizim të korrupsionit drejt komunave, dhe në rastet kur mungon llogaridhënia dhe transparenca atëherë ky decentralizimi vetëm mundëson qasje në fondet e shtetit për elitat e korruptuara të nivelit lokal. Pra nuk është decentralizim i kompetencave por decentralizim i korrupsionit. Në atë moment kur decentralizohet apo shpërndahet korrupsioni ai kalon në nivel sistematik me ç’rast është shumë më i vështirë luftimi i tij. Jo që tash kemi tendenca si shtet për ta luftuar korrupsionin, por çdo tentativë në të ardhmen për ta luftuar atë do të jetë edhe më e vështirë.
Përmes kompetencave që ka marrë “Zajednica” në fushën e edukimit, sigurisë, e të tjera, do të ndikojë në të ardhmen jashtëzakonisht shumë në mobilitetin e fuqisë punëtore. Për shembull, punëtorët nga Prishtina nuk do të mund të punojnë në Graçanicë. Kjo automatikisht ndikon në kualitetin e shpërndarjes të fuqisë punëtore, që ndikon direkt në kapacitetin prodhues të shtetit.
Lidhur me humbjen e mbi 8.200 hektarë territor nga demarkacioni me Malin e Zi, përveç efektit të parë ekonomik që është humbje e territorit, është shumë e pakuptueshme rezistenca e Qeverisë që të reflektojë. Vërehet se ka dembelizëm gjatë negociatave që të bënë të dyshosh se ky dembelizëm ka qenë i qëllimshëm. Vetë deputetët e LDK-së, që janë ekspertë të gjeodezisë, janë kundër këtij demarkacioni. Ata kanë treguar përmes studimeve se po humbet territori. Pse Qeveria në raste të tilla nuk e merr më seriozisht dhe ta rishikojë këtë marrëveshje? Ka mundur Isa Mustafa që të kërkojë një ekspertizë të pavarur. Kush kanë qenë anëtarët e Komisionit për Demarkacion? Kanë qenë juristë, sociologë, demografë, por asnjë që merr vesh në demarkacion. Atëherë pse Qeveria në një komision për demarkacion vendos njerëz që mund të dinë gjithçka përveç demarkacionit? Pra ka pasur qëllim tjetër që është fshehur dhe ka kërkuar që në atë komision të jenë njerëz që nuk e kuptojnë tematikën dhe rrjedhimisht nuk do të mund ta problematizojnë atë. Është thënë zyrtarisht se demarkacioni është bërë në bazë të hartave kadastrale. Nëse ky qenka çelësi për demarkacion, atëherë pse nuk është përdorur po i njëjti çelës në negociata për demarkacionin e kufirit me Maqedoninë? Në këtë rast do të kishte qenë shumë më i leverdishëm për Kosovën. Pra, nuk bëhet fjalë për standard të caktuar, por veç tentim i qeverisë për t’iu hedhur hi syve qytetarëve.
*Drejtues i Komitetit për Politika Financiare e Tregtare,
Deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!