Fatmir Bytyqi
Humbja e Viktor Orbanit është një mesazh politik që jehon edhe jashtë Budapestit, përfshirë edhe te ne. Ra një model qeverisjeje që me vite paraqitej si alternativë ndaj Bashkimit Evropian (BE), por në thelb mbështetej mbi konflikt të vazhdueshëm me institucionet, mbi frikën si mjet politik, mbi ndarjet dhe mbi dobësimin gradual të standardeve dhe vlerave demokratike. Por në fund, qytetarët hungarezë thanë se u mjafton një politikë që, ndërsa flet për kombin, lë pas vetes korrupsion; që, ndërsa flet për sovranitetin, e shtyn shtetin drejt izolimit; një politikë që premtonte pareshtur stabilitet, por prodhonte stagnim. Erdhi dita kur qytetarët e kthyen orën politike drejt dinjitetit dhe horizontit evropian të vlerave.
Gjatë sundimit të tij gjashtëmbëdhjetëvjeçar, Orbani për Maqedoninë nuk ishte një lider i largët evropian; ai ishte një referencë politike, një mbrojtës simbolik dhe një adresë nga e cila shihej me admirim. Këtë e pamë ndër vite në mbrojtjen politike që Budapestës ia dha Nikolla Gruevskit, në lidhjet mediatike dhe politike me VMRO-DPMNE-në, e më pas edhe në lidhjen ekonomike përmes aranzhimeve korrozive të kredive dhe pranisë hungareze në sektorë të ndjeshëm.
Nuk mjafton vetëm të thuhet se Orbani humbi; duhet të thuhet edhe se çfarë saktësisht u mund me largimin e tij nga pushteti, si ide politike që për një kohë të gjatë hidhte hije edhe mbi skenën politike maqedonase. Së pari, u shpërbë iluzioni se Maqedonia mund të ecë përpara duke e mbajtur BE-në jashtë agjendës politike, ndërsa qytetarët të ngushëllohen me fraza sovraniste dhe miqësi autoritare. Ra edhe iluzioni se dikush mund të paraqitet si demokrat, ndërkohë që minon kohezionin shoqëror, ekuilibrin institucional dhe drejtimin vleror të shtetit. U dëshmua si e gabuar edhe logjika se afërsia politike me Orbanin është njëfarë përparësie strategjike për Maqedoninë.
Unë nuk jam kundër marrëdhënieve të mira me Hungarinë. Përkundrazi, Maqedonia duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet evropiane, përfshirë edhe Hungarinë. Por një gjë është partneriteti ndërmjet shteteve, e krejt tjetër është importimi i një modeli politik tashmë të mundur. Një gjë është bashkëpunimi bilateral, e tjetër është varësia ideologjike. Maqedonia nuk guxon të vazhdojë ta masë të ardhmen e saj sipas busullës politike të Orbanit apo të udhëhiqet nga sugjerimet e tij politike, por sipas interesit të vet demokratik.
Nuk besoj në një Maqedoni që do të kërkojë ngushëllim te modelet politike autoritare. Besoj në një Maqedoni dinjitoze, evropiane. Në një shtet që do të ketë institucione të forta, media të lira, sundim të ligjit, financa transparente dhe një ekonomi që nuk ushqehet nga patronazhi politik.
Humbja e Orbanit duhet të jetë edhe një paralajmërim për Qeverinë në Shkup. Kur qytetarët në një vend e mposhtin modelin e frikës, kontrollit dhe vetëkënaqësisë politike, atëherë askush më nuk mund të pretendojë bindshëm se ai është rruga e së ardhmes. E ardhmja nuk është te orbanizimi i Maqedonisë. E ardhmja është te evropianizimi i Maqedonisë – shtet i drejtë, shoqëri e lirë dhe pushtet i ndershëm.


