Benjamin Idriz, hoxha i xhamisë së Penzbergut në afërsi të Munihut, është njëri nga përfaqësuesit më të spikatur të Islamit në Gjermani. Ai e sheh rolin e tij si një urë me shoqërinë pa hequr dorë nga identiteti i tij mysliman. Në një intervistë për Claudia Mende për internet-portalin publik gjerman Qantara të Deutsche Welles, ai argumenton se xhamia duhet të jetë një vend për diskutim të hapur, ku janë të mundura edhe opinionet kundërta.
I nderuari z. Idriz, një debat i nxehtë publik po ndodh aktualisht mbi temën e thirrjes publike të ezanit, e provokuar kjo nga një projekt model i nisur në qytetin e Këlnit. Si e keni trajtuar ju këtë problematikë në Penzberg?
Benjamin Idriz: Çështja e thirrjes së ezanit në publik u shfaq për ne rreth një vit më parë, kur xhamitë u mbyllën për shkak të pandemisë. Spontanisht më erdhi ideja që të thirrja një ezan publik të premten, si një sinjal për besimtarët se ne ishim ende aty, kështu që ata nuk do ta humbnin shpresën gjatë izolimit. Ne dorëzuam aplikimin përkatës pranë autoriteteve të qytetit të Penzbergut. Sapo ideja u bë publike, ajo nxiti diskutime të shumta, me shkrime editoriale të gazetave dhe një protestë të organizuar nga një grup islamofobësh që operon në Munih. Ata, madje, erdhën në Penzberg posaçërisht për këtë qëllim. Ky ishte pikërisht çasti kur unë e kuptova se dëshira jonë për një ezan publik i kishte dhënë hov një polemike goxha të madhe.
Si reaguat ju karshi kësaj fryme armiqësore?
Idriz: Mbasi e bisedova me kryetarin e bashkisë, unë e tërhoqa kërkesën time. Ndoshta nuk ishin pjekur ende kushtet për një gjë të tillë. Me thënë të drejtën, unë u trishtova paksa që shoqëria gjermane nuk është akoma gati që të tolerojë një ezan për pesë minuta. Unë dëshiroj të jetoj në një vend ku kambanat e kishave mund të dëgjohen në publik si një simbol fetar, por gjithashtu ku ezani të mos shihet si një kërcënim ndaj vlerave tona të përbashkëta, por si një pasuri. Kjo gjithashtu do të na mundësonte që të ishim një shembull për vendet myslimane, ku simbolet e krishtera nuk lejohet të jenë të dukshme në publik.
Të kritikosh Arabinë Saudite dhe vende të tjera ku të krishterëve nuk u lejohet që të praktikojnë besimin e tyre në publik, e megjithatë të mos mirëpresësh thirrjen e ezanit për myslimanët, kjo është paradoksale. Por, çështja e thirrjes së ezanit nuk duhet ta mbizotërojë debatin mbi Islamin në Gjermani. Ka çështje që janë shumë më të rëndësishme dhe shumë më bazike, që kërkojnë një diskutim më urgjent sesa thirrja e ezanit. Kjo duhet të jetë detyrimisht një çështje lokale dhe jo një temë në mbarë Gjermaninë.
Xhematlinj të rinj, mënyra të reja jete
Në librin tuaj të ri “Wie verstehen Sie den Koran, Herr Imam?” [“Si e kuptoni ju Kuranin, i nderuar hoxhë?], ju promovoni një kuptim bashkëkohor të Kuranit, që merr në konsideratë kontekstin historik të teksteve të shenjta. Çfarë kuptimi për Kuranin bartin pjesëtarët e xhematit tuaj në Penzberg?
Idriz: Ata vijnë nga kultura mjaft të ndryshme dhe shkolla të ndryshme juridike islame [medh´heb] dhe gjithashtu kanë botëkuptime të larmishme. Ata sjellin me vete tradita të ndryshme dhe përvoja familjare të ndryshme, që i kanë pasur qoftë këtu ose në vendet e tyre të origjinës, andaj edhe niveli i tyre i edukimit është i ndryshëm. Për shkak të një vargu faktorësh, ne, pra, kemi një xhemat mjaft të larmishëm dhe të shumëllojshëm.
Për mua si hoxhë është e rëndësishme që të reflektojmë mbi këtë pikëpamje të ndryshme – pikëpamjet nga shkollat e ndryshme fetare dhe përvojat që besimtarët i kanë pasur nga perspektiva e Kuranit, duke i korrigjuar ato në qoftë se është e domosdoshme dhe të japim udhëzime se si mund ta lexojnë, kuptojnë dhe zbatojnë besimtarët Kuranin në këtë epokë dhe në vendin ku ata jetojnë.
Vitet e fundit, bashkësia myslimane e Gjermanisë është zgjeruar, duke përfshirë shumë imigrantë të rinj. A sjellin ata një kuptim më tradicional të Kuranit?
Idriz: Pa dyshim! Gjatë 40-50 viteve të fundit, xhematet e xhamive në Gjermani kanë qenë të dominuara nga Islami turk. Megjithatë, imazhi i myslimanëve, ndërkohë, është bërë më i larmishëm jo vetëm për shkak të migrantëve që vijnë nga rajonet e krizës, por gjithashtu për shkak të punëtorëve emigrantë nga vendet e Ballkanit. Gjatë këtij procesi, imazhi i bashkësisë myslimane ka ndryshuar edhe këtu në Penzberg.
Në fillim, unë rëndom kam mbajtur vaze dhe hytbe (predikim) në turqisht dhe në boshnjakisht, për shkak se pjesa më e madhe e xhematit vinin nga këto dy sfonde kulturore. Tani unë mbaj hytbe e vaze në disa gjuhë, edhe në gjuhën shqipe, ndërsa vitet e fundit është shtuar edhe diçka tjetër, gjegjësisht gjuha gjermane, e cila na bashkon të gjithëve me sfondet tona të ndryshme kulturore. Pavarësisht dallimeve në opinione dhe në shkollat juridike, ne mund të gjejmë një gjuhë të njëjtë, gjegjësisht gjermanishten, që është dhe gjuha me të cilën në e çmojmë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë.
Për mua, është e rëndësishme që jo vetëm ta recitoj Kuranin në arabisht, por gjithashtu ta lexoj mesazhin e tij të gjithmbarshëm, ta interpretoj atë dhe të shkëmbej ide mbi të në të gjitha gjuhët e botës. Unë kam vërejtur se migrantët, të cilët kanë mbërritur së fundmi, vijnë tek unë me pyetje, shqetësime dhe përvoja të ndryshme nga ato të myslimanëve që jetojnë në Europë.
Detyra ime është që të sendërtoj një urë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, ndërmjet dogmës fetare dhe arsyes, ndërmjet fesë, demokracisë dhe botëkuptimeve të ndryshme. Duke e bërë këtë, synimi im është që t’i theksoj vlerat e përbashkëta, siç është respekti për lirinë fetare, respekti i ndërsjellë, diversiteti dhe toleranca, të cilat janë fondamentale si për kushtetutën gjermane, ashtu dhe për Kuranin.
Një brez i ri myslimanësh
Ju e përshkruani rrugën tuaj si rrugë e mesme, në arabisht ‘vasat’, që nuk kërkon as asimilimin dhe as izolimin, por një identitet të dallueshëm krejt më vete. Ky duket si një akt fort i vështirë baraspeshues…
Idriz: Nuk është aspak e lehtë. Ne po përjetojmë zhvillime dinamike nëpërmjet rrjeteve sociale, digjitalizimit, globalizimit të pandalshëm dhe dallgëve të forta të migrimit. Të gjitha këto bëjnë që ne të përballemi me një sfidë; ne lypset që të qëndrojmë në mes. Ne lypset që të fokusohemi mbi vlerat që na bashkojnë dhe ta ndërtojmë bashkërisht këtë botë, pa shkuar në esktreme dhe pa e izoluar veten në një botë paralele. Synimi ynë është që të fokusohemi mbi vlera universale të përbashkëta dhe të punojmë për shqetësimet e përbashkëta të të gjithë njerëzve në këtë botë.
Ja se si e kuptoj unë vasat-in: një bashkësi që është e moderuar, që shërben si urë për dallimet dhe që nuk kontribuon as në përçarje dhe as për shoqëri paralele.
Si pritet kjo në bashkësinë myslimane në tërësi? A jeni ju në kontakt me imamë dhe me xhemate të tjera?
Idriz: Pa dyshim, unë vërej se në gjirin e imamëve të tjerë dhe në gjirin e xhemateve të tyre ka interes. Gjithnjë e më shumë më vijnë pyetje nga institucione myslimane të mbarë Gjermanisë. Fillimisht, pjesa më e madhe e pyetjeve vinin nga kishat gjermane dhe organizatat jomyslimane, por që pas botimit të librit tim të fundit “Kurani dhe gruaja” [është botuar edhe në gjuhën shqipe nga Logos-A, Shkup], dy vjet më parë, ka pasur një interes shumë të lartë nga myslimanët. Pavarësisht nga pandemia, unë kam mbajtur promovime të shumta publike, përfshirë edhe për librin tim të ri. Vetëm gjatë muajit nëntor unë do të bëj një turne në shumë qytete dhe xhami në mbarë Gjermaninë.
A ka ndryshuar diskursi i bashkësisë myslimane?
Idriz: Ka një bazë të re në rritje myslimanësh, të cilët nuk janë domosdoshmërisht të organizuar në bazë të xhematit. Unë shoh se ka një brez që identifikohet me Islamin, por që në të njëjtën kohë është në kërkim të formave të reja të organizimit. Ata po themelojnë shoqata dhe nisma të reja, që janë mjaft të ndryshme nga xhemati tipik i xhamisë.
Ky brez i ri myslimanësh më magjeps. Ata po ndihmojnë që të bëjnë të mundur që Islami të mos jetë vetëm nëpër xhemate, por gjithashtu edhe në mesin e shoqërisë, në universitete, në rrjetet sociale, në media, në platforma dhe kanale të ndryshme.
Këta myslimanë janë të hapur ndaj pyetjeve të reja dhe njerëzve të rinj, ndaj temave dhe sfidave të reja, siç janë problemet mjedisore, të drejtat e barabarta për gratë, pjesëmarrja socio-politike, dialogu ndërfetar dhe, mbi të gjitha, kanë një diskurs të ri mbi Islamin në kontekst të kohës. Kjo është rruga e vështirë që duhet të ndjekë bashkësia myslimane në Gjermani dhe Europë.
Mëshira dhe dhembshuria
Një çështje madhore është se si të parandalohet radikalizimi i të rinjve. Në librin tuaj, ju shkruani se ka një “harresë të mëshirës” në gjirin e disa myslimanëve që mund të kontribuojë për radikalizimin e njerëzve. Çfarë nënkuptoni ju me këtë?
Idriz: Radikalizimi fillon me mendimet dhe me fjalët, të cilat përfundimisht mund të çojnë në akte. Mëshira ose rahmeti, si dhe dashuria, janë kësodore vendimtare, krahas dy elementëve të tjerë, të cilët unë i çmoj pa masë – arsyeja dhe përvoja pozitive. Të dyja këto, pa përmendur vlera të tilla si mëshira dhe dhembshuria, janë elementë qendrorë në Islam; Kurani i thekson ato pa reshtur. Mëshira dhe dhembshuria janë ato që duhet t’i japin trajtë kuptimit që ne e kemi për Islamin.
Radikalizimi nuk ndodh në xhemat, por në mediat sociale. Si hoxhallarë, ne duhet të jemi edhe më aktivë në shtrirjen e dorës drejt të rinjve. Unë jam shumë i lumtur kur shoh myslimanë të rinj që e përhapin imazhin e një Islami të dashurisë dhe respektit në mediat sociale. Të rinjtë, si të thuash, dalin me njëri-tjetrin në internet, e jo në xhami. Në mediat sociale duhet të forcohet imazhi i Islamit si një fe e paqes dhe e dhembshurisë.
Çfarë mund të bëjnë tjetër xhematet e xhamive?
Idriz: Sigurisht xhamia është dhe mbetet vendi ku duhet shkuar kur bëhet fjalë për edukim fetar dhe përvojë fetare, për interpretimin e fesë dhe për ushtrimin e saj. Xhamia është ende një vend qendror për edukimin fetar. Hoxhallarët dhe këshillat e xhamive duhet të jenë të hapura ndaj temave të ndryshme, ndaj një kulture të dialogut, diskutimit të hapur dhe shkëmbimit që lejon opinione të kundërta.
Ata duhet të jenë të hapur ndaj të rinjve, pa bërë dallim a bëhet fjalë për burra apo për gra. Trishtohem pa masë kur shoh se të rinjtë, të cilët mund të shkojnë në çdo vend tjetër së bashku, lejohen që të angazhohen në aktivitete të ndara në xhami, për shkak se kjo nuk u jep atyre mundësi që të shkëmbejnë ide. Mirëpo, ka xhemate që janë ende kundër kësaj ideje. E, megjithatë, për sa kohë që diskutimet e ndryshe mbeten një tabu në gjirin e xhemateve të xhamive, të rinjtë do t’i kërkojnë informacionet mbi Islamin gjetiu,si në mediat sociale, për shembull, ku forcat radikale janë shumë më aktive, sesa në gjirin e vetë xhemateve.
Intervistoi për Qantara.de: Claudia Mende.
Benjamin Idriz, i lindur në vitin 1972 në Shkup, është imam i bashkësisë islame në Penzberg dhe kryetar i “Forumit të Munihut për Islamin”. Ai është autor, ndër të tjera, i “Der Koran und die Frauen: Ein Imam erklärt vergessene Seiten des Islam” (botuar në gjermanisht nga Gütersloher Verlagshaus) dhe “VVie verstehen Sie den Koran, Herr Imam? Grundgedanken für einen Islam heute und hier”, (gjithashtu Gütersloher Verlagshaus).