“Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë. Për ata ka falje dhe shpërblim fisnik.” (EL-ENFÂL,74)
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!
Institucioni ynë organizoi një event për të shënuar dhe për ta madhëruar një nga ngjarjet më thelbësore të Islamit – Hixhretin! Më vitin 622 muslimanët e parë, të udhëhequr nga Pejgamberi s.a.v.s. Muhamedi a.s., do të shpërngulen nga Meka në Medine për të shpëtuar nga perndjekjet dhe keqtrajtimet që po i ushtronin mbi ta banorët e Mekes. Kjo tërheqje taktike do të shënojë Vitin e Ri të myslimanëve. Pra, myslimanët anekënd botës festojnë Vitin e Ri. Nga shpirti ua shpreh urimet e mia më të përzemërta, duke e lutur Allahun Fuqiplotë për paqe, dashuri e mbarësi.
Jemi dëshmitarë të kolonave të gjata me pleq, gra e fëmijë myslimanë që poi kin nga atdheu i tyre i përfshirë nga luftërat e pakuptimta. Sipas statistikave zyrtare, nëpër botë, për pak paqe e qetësi po bredhin mbi 14 milion refugjatë myslimanë, prej të cilëve, vetëm nga Siria janë rreth 4 milion! A është edhe ky migrim hixhret? Ata po i lënë vatrat e tyre dhe, me një çantë shpinës poi a mësyjnë botës këmbë! Nuk duan të përfshihen dhe të jenë viktimë e luftërave që bëhen vetëm për interesa të ngushta. Aty nuk vdiset as për islam e as për vatan. Prandaj, kjo ikje e madhe e tyre duhet të jetë “hixhret”. Jo vetëm që mos të biesh viktimë por, edhe t’i shmangesh kontribuimit për ta shtuar zullumin dhe të keqen, gjithësesi që është hixhret!
Natyrisht, Hixhreti i myslimanëve të parë pati tjetër qëllim dhe tjetër synim. Ata nuk ikën vetëm pse po sulmoheshin, ata ikën se kishin misionin e shenjtë: po hidheshin bazat e një feje të re, një civilizim i ri po lindte mu në çastet kur në shoqërinë e atëhershme kishte degraduar gjithçka deri në nivele kafshërore; po ngritej një sistem i ri shoqëror i cili po i jepte formë dhe kuptim respektit, dashurisë, harmonisë.
Hixhreti mundësoi ruajtjen e atij komuniteti të vogël i cili tashmë i kishte ngjizur në tru parimet fillestare të një feje të re për mbarë njerëzimin. Hixhreti në fakt mbrojti embrionin e fesë së re e cila do të shndërrohej në mburojë të pathyeshme për të gjithë ata që do të mbroheshin nga e keqja në çdo vend e në çdo kohë. Hixhreti shënon fillimin e një epoke të re në të cilën do të aktivizoheshin të gjitha mekanizmat e e zhvillimit dhe të progresit, të ndartjes së shëmtisë nga e bukura, të së keqes nga e mira, të së mbarës nga shkatërrimi. Thjesht, përmes hixhretit do të shihet praktikisht se si devotshmëria fare lehtë mund të ngadhnjejë mbi të gjitha strategjitë e mbrapshta të shkatërrimit e të devijimeve të ndryshme shoqërore.
Hixhreti nuk ndodhi sa për të ikur nga një torturë apo keqtrajtim por, ndodhi sepse, mendja e njerëzimit kishte nevojë për dritë, shpirti i njerëzimit kishte nevojë për përgëdhelje, trupi i njeriut kishte nevojë për disiplinë. Sot, hixhretin duhet përkujtuar si çastin kur fanari zhduk errësirën absolute.
Paralelisht me dimensionin hyjnor Pejgamberi s.a.v.s. Muhamedi a.s. nocionin e hixhrfetit e zgjeroi edhe me dimensionin njerëzor. Sipas tij, edhe ikja nga e keqja, nga e pamoralshmja, nga e pandershmja, edhe ikja nga epshet, nga tundimet, nga smira, xhelozia, pra edhe kjo lloj ikje është emigrim. Muhamedi a.s. thoshte: “Muhaxhir (emigrant) është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai.”
Kjo ishte motoja e pasuesve të parë të Pejgamberit s.a.v.s. Natyrisht, ishte sfiduese, e kushtueshme, me gjak e me djersë, me shpirt e me të mira material porse, këta ishin të vendosur për t’u bërë shembull i i bartjes dhe i realizimit të porosive të shenjta që shpalleshin nga Allahu Fuqiplotë. Ishin të durueshëm e vetëmohues, të pathyeshëm dhe besnikë, prandaj dhe Allahu xh.sh. thotë në Kuranin Madhështor: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve, dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore! (Et-teube, 100)
Pra, besimtarë të dashur, edhe hixhreti shpirtëror është fitore madheshtore, sepse, të ikësh nga e keqja dhe të pranosh dhe të zbatosh me shpirt atë që e ka porositur Allhu xh.sh. do të thotë të jeshë rrugës së Pejgamberit s.a.v.s. duke ndjekur gjurmët e shenjta të pasuesve të tij, të atyreve që e pranuan hixhretin duke sakrifikuar gjithçka.
Hixhreti ynë, sot, duke kaluar nga ky vit në vitin e ri hixhri, duhet të karakterizohet me ripërtëritjen e forcave tona për ta mundur të keqen, për ta ndryshur tundimin kah e ndaluara dhe për të hapëruar drejt atij qëllimi që na e garanton kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë, që na bën me po atë shpirt dhe shkëlqim që e patën pasuesit e parë të Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. Të jeni të sigurtë se, hapërimi ynë drejt këtij qëllimi na e forcon besimin tonë por edhe përkushtimin tonë për të qenë sa më të mirë e sa më të devotshëm, për të dhënë shembullin e njeriut ideal, kurse me këtë nderojmë veten, nderojmë fenë, nderojmë kombin të cilit i përkasim.
Zoti ju bekoftë dhe qoftë i kënaqur me ju.
Nga zemra e me gjithë shpirt ju uroj Gëzuar Vitin e Ri Hixhri. Shëndet, suksese e mbarësi
(Autori është Kryetar i BFI në RM)