Historiani Qerim Lita në një tekst botuar në revistën mujore Shenja sjellë dokumente arkivi, me të cilat hedhë dritë në mashtrimet dhe vrasjet që i janë bërë shqiptarëve ndër vite nga bashkëqytetarët maqedonas. Si shqiptarët u kyçën në Luftën Nacional Çlirimtare të Maqedonisë, e më pas si komunistët shqiptarë u vranë nga komunistët maqedonas dhe si në fund të drejtat e tyre nuk u përfillën aspak.
“Në rrethana kur popullsia shqiptare qëndronte fuqishëm pranë Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila në programin e saj pati çlirimin dhe bashkimin kombëtar, Shtabi Kryesor i LNÇM-së, në Manifestin e lëshuar në tetor të vitit 1943, në pjesën drejtuar shqiptarëve shprehimisht thuhej: ‘Të mos u lejojmë okupatorëve gjakatarë gjermanë t’i përçajnë të dy popujt tanë të vëllazëruar. Të mos u lejojmë ta shkatërrojnë unitetin tonë luftarak dhe t’i ndajnë dy flamujt tanë – flamurin e Skënderbeut dhe flamurin e Republikës së Krushevës, që të bashkuar, korrën aq shumë fitore… Dijeni se pas kësaj lufte të gjithë popujt e Ballkanit do të vendosin vetë për fatin e vet”
Ndërkohë, në janar të vitit 1944 Komiteti Krahinor për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, për qëllime propaganduese, përkatësisht mashtruese, lëshoi një Thirrje, përmes së cilës ftoheshin shqiptarët dhe maqedonasit të luftojnë bashkërisht kundër okupatorit gjerman, ku ndër të tjerash thuhej:
“A asht Tetova e maqedonasve ose e shqiptarëve, e kujt asht Kërçova etj., atë do ta zgjidhni Ju vehtë mbas lufte, kurrë s’do të jetë okupatori gjakatar dhe kurrë lirisht do të mundeni t’i shprehni dëshirat e veta dhe të kërkoni të drejtat e veta… Karta Atllantikut midis aleatve të mbëdhej ua siguron këtë të drejtë…”.
Në mbledhjen e parë të ASNOM-it, punimet e së cilës u mbajtën më 2 gusht 1944 u miratua Deklarata për të drejtat themelore të qytetarëve të “Maqedonisë Demokratike”, ku në nenin 1 thuhej:
“Të gjithë qytetarët e shtetit federal të Maqedonisë janë të njëjtë dhe të barabartë para ligjit, pa dallim kombësie, gjinie, race dhe besimi”.
Më 26 gusht të vitit 1944 u formua Brigada IV shqiptare, e cila fillimisht numëronte rreth 450 luftëtarë, ndërsa me kalimin e kohës ky numër të shkojë deri në 5000.
“Pasi u pushtuan të gjitha trevat shqiptare nga Struga e deri në Kumanovë, ku siç dihet njësitë komuniste maqedonase vranë e pushkatuan mijëra civilë të pafajshëm shqiptarë, dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan dhe u dërguan nëpër kampet e përqendrimit, me urdhër të KQ të PKM-së, në pjesën e parë të dhjetorit 1944 u arrestua zëvendëskomandanti i SHK të LNÇM-së, Hamdi Dema, i cili disa ditë më vonë u vra nga roja e burgut të Prilepit, nën pretekst se ka dashur të ‘arratiset’”.
Fatin e ngjashëm si të Hamdi Demës, e pat edhe Abdullah Aliu – Krashnic e Rexhë Rushit Zajazi. Edhe pse shqiptarët, numerikisht, krahas maqedonasve përbënin elementin e dytë më të rëndësishëm në Republikën Federale të Maqedonisë, ata nuk u përfshin në mënyrë proporcionale në strukturat udhëheqëse të pushtetit. Kështu nga 22 anëtarë sa numëronte Presidiumi i ASNOM-it, vetëm një ishte shqiptar, ndërsa prej 115 deputetëve të caktuar, shqiptarë ishin vetëm dy. Përfaqësues i vetëm shqiptar në Qeverinë e parë të Maqedonisë Federale, e cila u zgjodh më 16 prill 1945, ishte Dr. Nexhat Agolli, i cili mori postin e ministrit të Shëndetësisë Sociale.
“Kulminacionin e antishqiptarizmit udhëheqja komuniste maqedonase e arriti me Kushtetutën e parë, e cila u miratua më 31 dhjetor 1946, ku shqiptarët u emërtuan si pakicë nacionale, që përfshiheshin vetëm në një pikë, përkatësisht në Kreun III, neni 12, ku shprehimisht thuhej: “Pakicat nacionale në Republikën Popullore të Maqedonisë e gëzojnë të drejtën e mbrojtjen e zhvillimit kulturor dhe në përdorimin e lirë të gjuhës së tyre”.
Pas burgosjeve masive të inteligjencës shqiptare dhe proceseve të shumta gjyqësore, të cilat u zhvilluan gjatë viteve 1945-1947, në të cilat mbi 100 intelektualë shqiptarë u dënuan me vuajtje të rënda dënimi, përfshi këtu edhe dënime me pushkatim, Byroja Politike e KQ të PKM-së, e shkarkoi Dr. Nexhat Agollin nga detyra ministër i Shëndetësisë Sociale dhe në vend të tij për ministër e emëroi Reis Shaqirin, i cili deri në atë kohë mbante postin e kryeshefit të UDB-së për qarkun e Shkupit. Më pas, Nexhat Agolli arrestohet dhe në pranverë të vitit 1949, ngjashëm sikurse edhe Hamdi Dema, u vra nën pretekstin se ka dashur “të arratiset”.
Për sa u tha më sipër, shkruan historiani Lita, mund të arrihet konkluzioni se të gjitha premtimet që udhëheqja komuniste maqedonase, të dhëna gjatë periudhës 1943-1944, nuk përbënin asgjë tjetër, përveçse një propagandë të rrejshme, e cila për qëllim pati përçarjen e popullsisë shqiptare, e më pas zbatimin e politikës terrorizuese ndaj saj.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Historia përsëritet: Historiani Qerim Lita… by tvshenjaofficial