Kuvendi i Maqedonisë sot u hapi rrugën paraburgimeve të gjashtë deputetëve të dyshuar për “cënim terrorist të rendit Kushtetues dhe sigurisë”. Të pranishëm në sallë sot ishin vetëm 67 deputetë e pushtetit, të cilët votuan “ pro” heqjes së imunitetit për 4 kolegët e tyre, Krste Mukovskin, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevskit, Lubco Dimovskit, ndërsa 66 prej tyre votuan për heqjen e imunitetit të Zhaklina Peshevskës dhe Ljuben Arnaudov, shkruan Almakos.
Në sallë munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Nga partia e Nikolla Gruevskit nuk përjashtojnë edhe mundësinë e bojkotimit të Kuvendit.
“VMRO-DPMNE po shqyrton të gjitha mundësitë për të luftuar këtë çmenduri dhe për t’u vënë në mbrojtjen e njerëzve që janë pa të drejtë pjesë e proceseve të montuara politike, qofshin ata deputetë, zyrtarë ose qytetarë të zakonshëm, i vetëm është se ata janë të mbërthyer në bazë të ndërgjegjes dhe bindjes për të kundërshtuar politikat e LSDM-së”-thuhet në kumtesën për shtyp të Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, edhe për sot ka paralajmëruar bllokim të rrugëve dhe protesta para Gjykatës Penale në Shkup. Ata përmes një kumtese për media thonë se arrestimi i artisëve, aktorëve, regjisorëve, arkitektëve dhe deputetëve dhe akuzat ndaj tyre për terrorizëm është akt i një torturë politike.
Koordinatori i LSDM-së në Kuvend, Tomisllav Tuntev, tha se kanë dy mundësi, edhe atë, ose Maqedonia të kthehet në rrugën e drejtë, ose të ketë drejtësi selektive.
“Në 27 prill jetët dhe shëndeti i deputetëve, shërbimeve kuvendore, gazetarëve dhe punëtorëve medial kanë qenë të rrezikuara. Atë ditë që ka ndodhur ka qenë kundër të gjithë të drejtave ligjore, por edhe njerëzore. Ajo ditë që ka hyrë në ditët e turpshme të historisë së shtetit, patjetër duhet të pastrohet. Kthimi i shtetit ligjor është e patjetërsueshme për shtetin tonë, ndërkaq Kuvendi duhet të jetë shembull për atë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët”- tha Tuntev.
Pas heqjes së imunitetit, Kuvendi duhet të njoftojë Gjykatën Penale. Më pas Gjykata të njoftojë policinë e cila ka për obligim t’i sjell para organit hetues.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montazh: Evi Shkopi
Almakos.com