Sead ZIMERI
Hipokrizia e Saudisë nuk ka fund: ajo financon dhe shpërndan një ideologji regresive, seksiste dhe homofobike deri në pafundësi, një ideologji që formon bazën dhe substancën e besimeve të terroristëve, një ideologji që po shkakton vuajtje, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha shtetet ku ka muslimanë, një ideologji që jo vetëm nuk kujdeset aspak për vetëdijen moderne të muslimanit, por që përpiqet me çdo kusht që ta shkatërrojë çdo ide progressive në shoqëritë muslimane, duke mos kursyer para dhe metoda tjera të pista, kërcënime, përndjekje, etj; ky shtet, pra, tani i ka prerë të gjitha marëdhëniet diplomatike me Katarin, për gjoja përkrahje të lëvizjeve terroriste.
Saudia, nëna e çdo fatkeqësie që u ka rënë mbi kokë muslimanëve, akuzon fqiun e saj për mbështetjte të grupeve ekstremiste si Vëllëzërit Muslimanë dhe Hamasin. Ndërkohë që qytetarët e Katarit gëzojnë më shumë të drejta se ata të Saudisë, kanë më tepër liri të shprehjes, dhe, në përgjithësi, përhapin një ideologji më të butë të islamit politik sesa Saudia. Tani, nuk po dua ta shfajësoj Katarin, sepse në qoftë se rekordi i tyre është më i mirë se ai i Saudisë, kjo nuk do të thotë që ai është i shkëlqyeshëm. Përkundrazi, Katari si fqinjët e saj, ka hyrë në modernitet vetëm me gjysmë këmbe kurse tjetrën e ka thellë të rrënjosur në traditë.
Katari nuk është shembull për t’u ndjekur, por ama Saudia që është zhytur në ideologjinë vehabiste nuk ka kurrfarë të drejte ta qortojë Katarin apo ndonjë vend tjetër për mbështetjen që ata mund t’i bëjnë lëvizjeve apo drejtimeve politike ekstremiste. Por kuptohet që Saudia nuk e ka problem ekstremizmin si të tillë, por ekstremizmin që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për të dhe për aleatët e saj, si Egjipti. Fatkeqësia e Katarit nuk është që ata po përkrahin lëvizje ekstremiste por që ata po përkrahin lëvizjet ekstremiste të gabuara, që kërcënojnë pushtetin e Saudisë dhe aleatëve të saj.
Paradoksikalisht, Katari është pozicionuar në anën e atyre që luftojnë për ndryshimin e pushteteve diktatoriale, sidomos përmes Al-Xhazira, që luajti rol jashtëzakonisht të madh në informimim e opinionit publik arab për protestat dhe pakënaqësitë e qytetarëve të shteteve arabe. Shpalosja e dosjeve të pista të këtyre regjimeve diktatoriale, mbështetja e hapur e lëvizjeve opozitare, disa here ekstremiste, të këtyre pushteteve, nuk do t’u pëlqejë diktatorëve, dhe ata bëjnë çmos që ta pengojnë Katarin dhe Al-Xhazira, por pa sukses. Tani që kupa është mbushur dhe që SHBA ka një president plotësisht injorant, diktatorët kanë vendosur që njëherë e përgjithmonë ta shtypin çdo aspiratë të lirisë në Lindjen e Mesme. Përmes ndrydhjes së Katarit ata po ua bëjnë me dije qytetarëve të tyre që t’mos vozhdojnë me ëndërrat e tyre për liri dhe barazi. Uroj që të mos kenë sukses.