EMISIONI VETTING
Si e mori tenderin Kompania për të rindërtuar në pallatin kur ishte e sekuestruar?
Më 4 gusht të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ndërtimin e këtij pallati por edhe të tjerë. Objekti i këtij tenderi është “Minikonkursi Nr.25 (Kontrate ne baze te Marrëveshjes Kuadër me REF-67609-08-03-2020) – “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonën e re për zhvillim Krujë, Paketa A, Objektet A+J, B, C, D+G, E, F+H, I, njësia administrative Krujë, Bashkia Krujë. (Programi i Rindertimit)
Për këtë tender është hapur gara për projektimin dhe kompaninë që do të merrej me këtë shërbim.
“Minikonkursi Nr.19- (Kontrate ne baze te Marreveshjes Kuader me REF-66894-07-27-2020) – “ “Shërbime projektimi per projektin teknik dhe marrjen e lejes se ndertimit per ndertesat njesi banimi (pallat) ne perputhje me PDYV-ne e zonës Thumane”, Njësia Administrative Thumane, Bashkia Kruje. (Programi i Rindërtimit)”. Në garë morën pjesë 22 bashkime subjektesh, fituese rezultoi Erald – G” sh.p.k dhe Transport Highëay Consulting” sh.p.k.
Ndërsa kompania supervizore rezultoi fituese Archi-Space shpk, me ortakët themelues të shoqërisë Luçjano Bojaxhiu me 50% të kapitalit dhe Rais Petrela me 50% të kapitalit. Më 2 shtator 2016, me anë të kontratës së shitjes së pjesëmarrjes së kapitalit, Luçjano Bojaxhiu shet 50% të kuotave të kapitalit në favor të Z. Rais Petrela, kundrejt çmimit 50 lekë.
Kontrata është nënshkruar në bazë të marrëveshjes kuadër, plotë 6. 5 miliardë lekë. Paratë u fituan nga kompania “Pe Vla Ku” shpk, e cila do të merrej me ndërtimin e pallatit ku do të strehoheshin banorët e prekur nga tërmeti. Por edhe familjeve që u ishte shembur banesa për shkak të rindërtimit, por jo prej lëkundjeve të tërmetit do të strehoheshin në këto godina.
Romina Radonshiqi eksperte ekonomie thekson se: “Qeveria duhet të strehoj qytetarët e ka detyrim ligjorë nga një akt të tillë”.
Miliarda lekë përfitoi kompania, por sipas analizës së tenderit të dhëna tronditëse dolën në skenë.
Kompania “PE VLA KU” shpk, pas një verifikimi të kryer në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton e bllokuar nga përmbarimi.
Konkretisht në datë 18.12.2017, me anë të urdhrit Nr. 1303 Prot “Për Vendosjen e sekuestros konservative”, lëshuar nga përmbaruesi gjyqësor Altin Vako, u urdhërua vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet që zotëron debitori subjekti “PE – VLA – KU” shpk.
Ky urdhër ka qenë në fuqi deri më 23 tetor 2020, u urdhërua lirimi nga sekuestro konservative i të gjitha aksioneve të zotëruara nga debitori shoqeria “PE – VLA – KU”.
Edhe pse sekuestro është hequr në tetor të vitit 2020 në kohën kur është dhënë tenderi për ndërtimin e pallatit në Thumanë, Kompania ka qenë në sekuestro.
Dhe urdhri ka qenë në fuqi në momentin e vlerësimit të ofertës dhe në momentin e shpalljes së tenderit nuk ishte hequr ende sekuestro konservative.
Të qenit nën sekuestro e aksioneve të kompanisë “PE VLA KU” për detyrimet që ky subjekt ka pasur ndaj palëve të treta me shumë mundësi, sipas ligjit për përmbarimin privat i jep mundësinë këtij të fundit të nxjerr në ankand çdo pasuri të subjektit qofshin këto makineri e pajisje apo sekuestrim të të ardhurave financiare.
Avokati Shpati sqaron në parim se: “Nga fjala sekuestrim do të thotë se çdo veprimtari është e bllokuar dhe çdo veprim i kryer nga ky subjekt është i jashtëligjshëm. Pra zhvillon aktivitetin në shkelje ligji nuk duhet të marr tender dhe ai që e ka dhënë tenderin është duke shkelur ligjin”.
Kjo situatë krijon risk dhe nuk jep besueshmëri dhe garancinë e duhur Fondit Shqiptar të Zhvillimit se ky subjekt do të realizonte e përfundonte punimet e kontratës. Rrjedhimisht Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk mund dhe nuk ka asnjë arsye ligjore për ta marrë vetë përsipër riskun duke ia besuar punët e kontratës një shoqërie që pasuritë e veta ia ka nën sekuestro e që në çdo kohë mund ti dal në ankand.
Sakaq Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk duhet ta kishte kualifikuar në këto kushte, ndërkohë që ka ftuar edhe jo pak, por me shume se 17 subjekte të tjera ne garë. Me qëllim që të garantohej shpallja e shpejt e një fituesi që plotëson kriteret për kualifikim me aftësi dhe kapacitete e duhura si dhe me besueshmërinë për të realizuar me sukses punimet objekt i kontratës.
Në bazë të ligjit të prokurimeve neni 46/1 i cili i jep mundësinë Autoriteti Kontraktor që në fazën e vlerësimit të ofertave të bëj përzgjedhjen si fitues operatorin që ka:
“Kualifikimet e nevojshme teknike profesionale kapacitete organizative makineritë pajisjet asetet te tjera fizike aftësinë organizative besueshmërinë përvojën e duhur si dhe personelin e nevojshëm për të zbatuar kontratën siç është përshkruar nga autoriteti kontraktor në njoftimin e objektit të kontratës”.
Konform këtij ligji operatori “PE-Vla-KU” duhej të s’kualifikohej sepse nuk ofronte besueshmërinë e duhur sipas nenit 46. Por drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk pyeti për këtë ligj duke marr riskun e mos zbatimit apo shtyrjes së afateve në dëm të popullit dhe konkretisht këtyre familjeve të dëmtuara nga tërmeti dhe shteti.
Por si u reflektua realisht në punime ky problem i kompanisë dhe lëshimi i qindra miliona lekëve që i bëri FSHZH-së kompanisë në kurriz të qytetarëve?
Paketa A që përfshinte disa njësi banimi kanë filluar në janar 2021 dhe duhet të përfundonin në qershor të vitit 2021 me mbi 8 njësi kolektive dhe përafërsisht 160 apartamente.
Gazetarët e emisionit “Vetting” zbuluan se kjo kompani për shkak të problemeve me sekuestron, por jo vetëm nuk i ka mbaruar pallatet e kontraktuara në kohë. Por edhe jashtë afateve sipërfaqja e projektuar për të ndërtuar ishte një kantier ndërtimi me vinça, mjete të rënda teksa në pallatet e ndërtuar karabinaja nuk ishin vendosur pllakat, dritare, dyer madje nuk ishin kryer as suvatimet dhe termoizolimi.
Këto kishin mbetur pa përfunduar në fillim të gushtit 2021 ku shtatori përsëri do ta gjente në kantier këtë vend.
Kush mbajti përgjegjësi për tejkalimin e afateve?
Kush mbajti përgjegjësi për parat e shpërdoruara që këta banorë të vazhdonin të paguheshin me bono qiraje sepse firma që kishte fituar padrejtësisht tenderin kishte zvarritur punimet?
Kush mbajti përgjegjësi për ato familje që jetuan në banesa me qira dhe e paguan nga xhepi se ju ndërpre bonusi? Një zinxhir i gjatë ku çdo hallkë pasohej me dëm. Për ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa problemi nis në procedurat e tenderave në përgjithësi: “Tenderat janë dhënë me vlertë gati 100%, në këto kushte procesi nuk ka integritetin e duhur”.