Në zonën e ish Kënetës në Durrës ka pllakosur zia! Banorë të zonës, fëmijë, por edhe zyrtarë lokalë e deputetë kanë shkuar për të zhvilluar homazhe në ndër të dy të miturve, të cilët u përplasën tragjikisht nga një makinë teksa ata ishin duke luajtur.
Vogëlushët K.N. 10 vjeç dhe E.M. 12 vjeç humbën jetën, ndërsa një 8 vjeçar mbeti i plagosur.
E pranishme ishte edhe Zv/kryeministrja Albana Koçiu, e shoqëruar nga kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako.
Koçiu nuk pranoi të flasë për mediat, duke theksuar se duhet të respektohet dhimbja, ndërsa garantoi për marrjen e masave.
“Le të respektojmë dhimbjen sot. Do merren të gjitha masat”, tha ajo.
I plagosuri jashte rrezikut per jeten
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.
Kujtojmë që në aksidentin e ndodhur një ditë më parë (3 maj) humbi jetën vëllai i 8-vjeçarit dhe kushëriri i tij.
Policia e Durrësit arrestoi shoferin, shtetasin Nikoll Radaçi, i cili një ditë më parë shkaktoi një aksident tragjik.
57-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Nga aksidenti i rëndë humbën jetën fëmijët e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç, ndërsa i mituri tjetër, një 8 vjeçar ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës”, sqaron policia.
Shoferi problematik, ishte i dehur
Policia thotë se nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se 57-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.
Ai akuzohet veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja
Nikoll Radaçi duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.
Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi Nikoll Radaçi e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.


