Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
Në çdo fillim të muajit Ramazan, ndodh një skenë që përsëritet me një monotoni trishtuese: një grup njerëzish ngre sytë nga qielli në minutat e fundit të perëndimit te diellit, dhe në sytë e tyre shkëlqen jo vetëm drita e hënës së re, por edhe një dritë tjetër – drita e krekosjes se “ne ia dolëm”, “ne e pamë atë që të tjerët nuk panë”.
Ky moment, që duhet të ishte një vegim i përulësisë para madhështisë së Krijuesit, është shndërruar në një arenë ku shfaqet egoja më e egër. Të shohësh hënën me sy në momentet e fundit, duke injoruar me qëllim llogaritjet e sakta astronomike që e dinë me saktësi lindjen e saj vlte më parë, nuk është më një akt devocioni – është një akt narcisizmi kolektiv.
Astronomia sot nuk është hamendje. Ajo është shkencë ekzakte. Ne e dimë saktësisht se kur lind hëna, në çfarë ore, në çfarë pozicioni, dhe nëse ajo do të jetë e dukshme apo jo. Por kur një grup insiston të presë deri në minutën e fundit, të ngrejë sytë në një qiell që shkenca e ka paralajmëruar se nuk do të tregojë asgjë, dhe pastaj del me një “nuk u pa”, për të krijuar pasiguri dhe përçarje, kjo nuk quhet respekt i traditës – kjo quhet krekosje injorante.
Është sikur të thuash: “Unë nuk kam nevojë për shkencën tënde, për llogaritë e tua të sakta. Unë kam sytë e mi, dhe syri im është më i shenjtë se çdo teleskop, më i saktë se çdo llogari”. Ky qëndrim nuk mbron fenë – e zhvlerëson atë, duke e paraqitur si diçka që qëndron kundër dijes, kundër arsyes, kundër të vërtetave të pakundërshtueshme.
Më e keqja është kur dy grupe pretendojnë se e kanë parë hënën, por në ditë të ndryshme. Atëherë, në vend të një hëne, kemi dy hëna. Në vend të një umeti, kemi dy umete. Dhe në themel të kësaj ndarjeje qëndron një ego e pangopur: dëshira për të pasur të drejtë, për të treguar se grupi ynë është ai i vërtetë, se dëshmitarët tanë janë më të besueshëm, se tradita jonë është më e pastër.
Ky nuk është më një debat rreth metodologjisë. Ky është një spektakël ku nje grup shfaq forcën e tij, duke përdorur hënën si mjet. Dhe ndërkohë që ata debatojnë, familjet perçahen, fëmijët ngatërrohen, dhe bota sheh një fe që nuk di të bashkëjetojë as me shkencën, as me veten.
Zoti në Kuran na urdhëron të shikojmë, të vëzhgojmë, të mendojmë. Ai na dhuroi mendjen për ta përdorur, jo për ta anashkaluar. Kur ne zgjedhim të injorojmë llogaritjet e sakta astronomike dhe të mbështetemi vetëm në syrin e njeriut në kushte jo gjithmonë të favorshme, ne në fakt po themi se mendja njerëzore nuk ka vlerë, se zbulimet shkencore janë të kota, se shekujt e kërkimit dhe përparimit nuk duhet të na shqetësojnë.
Kjo nuk është devotshmëri. Kjo është mendjemadhësi. Është një formë e fshehur e idhujtarisë – ku ne adhurojmë metodën tonë, syrin tonë, grupin tonë, në vend që të adhurojmë Zotin që na dhuroi edhe syrin, edhe mendjen, edhe shkencën.
Hëna e Ramazanit nuk është një pronë private e nje vendi. Ajo nuk i përket as atij që e sheh me sy, as atij që e llogarit me matematikë. Ajo i përket Zotit, dhe Ai e krijoi atë si shenjë për njerëzit, për të matur kohën dhe për të bashkuar besimtarët në adhurim.
Kur ne e kthejmë hënën në një shkak për ndarje, ne po e përdorim shenjën e Zotit kundër qëllimit të Zotit. Ne po e shndërrojmë mëshirën në mallkim, dhe unitetin në përçarje.
Është koha të mbyllim sytë për të parë më mirë – të mbyllim sytë e egos dhe të hapim sytë e mendjes. Është koha të pranojmë se shkenca nuk është armiku i fesë, por aleati i saj më besnik. Është koha të kuptojmë se të jesh i pari nuk është qëllimi, por të jesh i bashkuar është urdhëri.
Hëna është një. Umeti është një. Le të mos lejojmë që narcisizmi i disave ta kthejë këtë të vërtetë qiellore në një gënjeshtër tokësore. Sepse në Ditën e Gjykimit, Zoti do të na pyesë se kush duke parë hënën e pa vëllanë pranë tij…


