Helmimet nga ushqimet janë më të shpeshta gjatë muajve të verës, prandaj edhe mjekët apelojnë deri tek qytetarët për më shumë kujdes gjatë përgatitjes së ushqimit, ruajtjes dhe konsumimin e ushqimit. Kjo, me qëllim që të mbrohet shëndeti i tyre po edhe i familjarëve të tyre. Që të shmanget do lloj helmimi, është më se nevojshme që ushqimi të përzgjidhet në mënyrë të kujdesshme, të ketë kushte të mira gjatë transportit por edhe kushte më të mira për ruajtjen e ushqimit, që bakteret e ndryshme mos kenë qasje. Sipas mjekëve, janë diku rreth 200 sëmundje që mund të merren nga moskujdesi gjatë ushqimit. Apelohet që gjatë blerjes qytetarët të kenë kujdes me afatin e produktit, si dhe vendin prej ku e blejnë. Kjo më shumë i dedikohet prodhimeve të mishit, dhe nëse të njëjtat janë mbajtur në vende joadekuate qytetarët nuk duhet që të blejnë. “Këtë vit edhe pse kemi temperaturë më të freskëta, pra nuk kemi temperatura ekstreme, megjithatë qytetarët duhet që të jenë të kujdesshëm sepse shumë lehtë mund të vijë deri tek helmimi nga ushqimi. Helmimet vijnë si rezultat i asaj nëse nuk respektohen rekomandimet kryesore për këtë periudhë. Më shpesh kemi të bëjmë me helmime bakteriologjike në këtë kohë”, thotë mjeku Ratko Davidovski, nga qendra për shëndet publik në Tetovë.
Ai nënvizon se qytetarët duhet që të kenë kujdes që ushqimi i përgatitur duhet të konsumohet menjëherë dhe mos lihet për një kohë tjetër. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë kujdes kur blejnë edhe bukë por edhe prodhime tjera ushqimore të përditshme dhe t`i shmangen blerjes së të njëjtave pa ambalazh, të cilët janë të parapara me HACCAP sistemin. Vite me radhë, papastërtia e një pjesë të madhe të produkteve ushqimore ka bërë që në repartin e ndihmës së shpejtë të kërkojnë ndihmë nga helmimet shumë pacientë. Sipas mjekëve, bëhet fjalë për virozë të shkaktuar nga konsumimi i shumë prodhimeve ushqimore, të cilat edhe pse ndonjëherë kanë afat, megjithatë ekspozimi i tyre në diell dhe në kushte joadekuate higjienike është bartës i baktereve.
Sipas mjekëve, një nga arsyet kryesore se pse vjen deri te shtimi i pacientëve të sëmurë në këtë kohë është konsumimi i ushqimit jo të sigurt, e cila prodhohet dhe distribuohet përmes rrjetit tregtar dhe bakteret menjëherë shumohen dhe ndikojnë keq në shëndetin e njerëzve, sidomos tek ata me imunitet të dobët. Ndërkaq, nga Enti për mbrojtje të shëndetit apelojnë që të mos blihen produkte ushqimore, nëse nuk ka datë të shënuar, ambalazh të mirë dhe duhet të shikohet edhe prejardhja e ushqimit prej nga vjen. Ajo që bie në sy gjatë kësaj periudhe është se shumë qytetarë blejnë edhe në vende joadekuate, sidomos në shitore të improvizuara përgjatë rrugëve kryesore, ku ushqimet janë të ekspozuara gjatë kohë në diell dhe mbahen në kushte joadekuate. Problem në vete është se këto shitore ndodhen përgjatë rrugëve ku ka shumë pluhur dhe baktere. Mjekët apelojnë deri tek qytetarët që të kenë kujdes edhe me ujin e pijshëm, pasi që verën e kaluar një helmim masiv ndodhi në territorin e Komunës së Tearcës, si pasojë e problemeve në rrjetin e ujësjellësin.



