Pas deklaratave të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, se platforma e partive shqiptare përbën rrezik serioz për të ardhmen e Maqedonisë, ka reaguar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qasjen e Ivanovit e ka vlerësuar si armiqësore dhe antishqiptare.
“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti.
Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit.
Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.
Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë.
Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook.

