Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova i përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet në rajon dhe veçanërisht kohëve të fundit, ato që po ndodhin në Maqedoni.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve “Beta”, Thaçi ka thënë se në Maqedoni kemi pasur një proces elektoral dhe tani shohim përpjekje që të themelohet Qeveria e re, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e shtetit.
“Për Kosovën dhe besoj për tërë rajonin është e papranueshme dhuna. Tani për tani, tensionet në Maqedoni janë politike dhe nuk janë etnike, mirëpo për evitimin e tensioneve etnike, zgjidhje është implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe avancimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoni”, ka deklaruar presidenti Thaçi.