Kosova ka kohë që ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për gjenocid, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Edhe pas gati 26 viteve nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka arritur të bëj gati një padi, përmes së cilës Serbia do të paditej për gjenocid.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte dhënë një premtim se qeveria e tij po planifikonte të inicionte një padi ndaj Serbisë për gjenocid për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe politikat e “aparteidit dhe ndarjes etnike”.
“Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera”, kishte thënë Kurti gjatë një vizite në fshatin Poklek në mesin e muajit qershor të vitit 2021 gjatë përkujtimit të serisë së sulmeve ndaj civilëve, të njohura si masakrat e Drenicës.
“Ne duhet të padisim Serbinë për vrasjet e civilëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, për përdorimin e përdhunimit si një metodë lufte. Të gjitha këto gjëra janë të dokumentuara dhe do të dokumentohen”, kishte theksuar Kurti atë kohë.
Por megjithatë, as gati pesë vite nga kjo deklaratë një gjë e tillë s’ka ndodhur.
Konventa e Gjenocidit e Kombeve të Bashkuara nga viti 1948, teksti i së cilës përdoret si bazë për të gjitha gjykimet që përfshijnë gjenocidin, përcakton gjenocidin si “veprim i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar” dhe përfshin “vrasja e anëtarëve të grupit, lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit, vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij”.
Musliu-Shoshi: Premtimi për padi për gjenocid ndaj Serbisë është mashtrim politik i kësaj qeverie pa veprim institucional
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, për FrontOnline ka deklaruar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë përbëjnë një nga mashtrimet më të mëdha politike, të përdorura për qëllime elektorale dhe propagandistike, pa asnjë angazhim real institucional.
Ish-anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, tha se premtimi për padi është shfrytëzuar për të mobilizuar emocione dhe vota, ndërsa në praktikë nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret.
“Premtimi për padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë është një nga mashtrimet më të mëdha politike të kësaj qeverie. Është përdorur për vota, për emocione dhe për propagandë, por jo për veprim real institucional”, ka deklaruar Shoshi-Musliu për FrontOnline.
Sipas saj, pas kalimit të disa viteve, mungon çdo dëshmi serioze se ky proces është trajtuar me përgjegjësi shtetërore. Ajo theksoi se nuk ekziston asnjë padi e ngritur, as dosje e përgatitur profesionalisht dhe as transparencë për hapat konkretë që janë ndërmarrë.
“Kanë kaluar vite dhe nuk ka as padi, as dosje serioze, as transparencë për hapat konkretë. Arsyeja është e qartë: mungesë vullneti politik, paaftësi profesionale dhe frikë për t’u përballur seriozisht me një proces kompleks ndërkombëtar që kërkon përgatitje të thellë juridike dhe diplomatike”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se çështja e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të reduktohet në slogane fushatash, por kërkon trajtim serioz dhe të përgjegjshëm nga institucionet shtetërore.
“Gjenocidi dhe krimet e Serbisë në Kosovë nuk janë slogan fushate. Janë plagë të hapura që kërkojnë përgjegjësi shtetërore”, theksoi Shoshi-Musliu.
Në fund, ajo bëri thirrje për veprime konkrete dhe jo deklarata boshe, duke vlerësuar se premtimet pa rezultat përbëjnë manipulim të dhimbjes kolektive të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova ka nevojë për veprime, jo për fjalë boshe. Premtimet pa rezultat janë vetëm manipulim i dhimbjes sonë kolektive”, tha ajo për Front Online.
Salihu: Kosova është vonuar në përgatitjen e padisë për gjenocid nga Serbia
Njohësi i së Drejtës Penale dhe së Drejtës Ndërkombëtare, Ismet Salihu, për FrontOnline ka vlerësuar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë po përballen me vonesa serioze për shkak të mungesës së punës së mjaftueshme institucionale në zbulimin, evidentimin dhe saktësimin e krimeve të luftës që nga çlirimi e këndej.
Sipas Salihut, problemi kryesor qëndron në faktin se Kosova nuk ka ndërtuar me kohë një bazë të fortë provash dhe faktesh, të administruara në mënyrë profesionale dhe të pakontestueshme, që do të mundësonin ngritjen e një akuze të qëndrueshme në instanca ndërkombëtare.
“Ka ndodhur një vonesë e tillë për shkak se shteti i Kosovës që nga çlirimi e këndej nuk ka punuar sa duhet me zbulimin, evidentimin dhe saktësimin e të gjitha krimeve”, ka deklaruar Salihu për FrontOnline.
Sipas tij, hapi i parë duhet të jetë formimi i një ekipi të ekspertëve në nivel shtetëror, i cili do të punonte në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë.
“Së pari duhet të formohet në nivel të Kosovës një ekip i ekspertëve, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë, të punojë dy vite që t’i administrojë provat dhe faktet në mënyrë të pakontestuar dhe pastaj të ngrihet akuza”, u shpreh Salihu.
Sipas tij, edhe instituti i ri, i themeluar për këtë qëllim, nuk po tregon ende rezultate konkrete.
“Së pari Kosova është vonuar sepse nuk ka punuar sa duhet Instituti për Krime të Luftës. Ky institut i ri sa është duke punuar nuk e di, por me sa po e shoh, nuk po punon sa duhet”, theksoi Salihu.
Blakaj: Paralajmërimet për padi për gjenocid ndaj Serbisë janë më shumë për konsum të brendshëm politik
Bekim Blakaj nga Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, për FrontOnline, ka vlerësuar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë për ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë kanë qenë kryesisht deklarative dhe të orientuara për konsum të brendshëm politik, pa veprime konkrete që do të dëshmonin përgatitjen reale të një procesi të tillë.
Blakaj theksoi se deri më tani nuk ka asnjë indikator serioz që Kosova po përgatit një padi për gjenocid, duke nënvizuar pengesat thelbësore juridike dhe institucionale.
Sipas tij, pengesa kryesore është mungesa e ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, çka e pamundëson paraqitjen e drejtpërdrejtë të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
“Jo vetëm kjo Qeveri, por edhe përfaqësues të tjerë të shtetit kanë paralajmëruar padi për gjenocid ndaj Serbisë dhe kjo ka qenë më shumë për konsum të brendshëm politik, sepse jemi dëshmitarë edhe sot se nuk kemi parë asnjë veprim që na bën me besu se është duke u përgatitur një padi ndaj Serbisë”, ka deklaruar Blakaj për FrontOnline.
Ai shtoi se, përveç statusit ndërkombëtar të Kosovës, nuk ka të dhëna se është punuar seriozisht në mbledhjen e provave dhe ndërtimin e një rasti të qëndrueshëm juridik.
“Në rend të parë ka barriera të ndryshme, një ndër to është se Kosova nuk ka ulëse në OKB dhe si e tillë nuk është palë para GJND-së, pra ajo është e vetmja adresë”, u shpreh ai.
Ai përmendi rastet e Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, paditë e të cilave kundër Serbisë për gjenocid nuk patën sukses.
“Nga përvoja e Kroacisë dhe Bosnjës, mund të jetë kundër-produktive, siç ishte ajo e Bosnjës e cila e ka paditur Serbinë për gjenocid dhe kjo padi nuk kishte kaluar, ashtu siç nuk kishte kaluar as ajo e Kroacisë”, tha Blakaj.
Sipas tij, një dështim eventual i Kosovës në një proces të tillë do të mund të shfrytëzohej nga Serbia si argument politik dhe juridik.
“Kishte qenë mirë me u marrë përvojë nga këto vende dhe me u përgatitur mirë, sepse po dështoi, ajo mund të përdoret si argument i Serbisë se në Kosovë s’ka pasur gjenocid”, tha ai për Front Online.


