Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të forcohet shteti dhe të nderohet sakrifica e të gjithëve.
Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor për dëshmorët Mulla Nusret Hajdari dhe Mehmetali Shukri Behluli.
Ai i ka ftuar të gjithë të pranishmit që të vazhdojnë dhe ta frocojnë Kosovën dhe ta nderojnë sakrificën e shqiptarëve ndër breza.
“Ne jemi përcaktuar me qenë shtet dhe lindja e shtetit është shumë e mundimshme. Për këtë arsye janë më pak se 200 shtete. Disa janë shumë të mëdha dhe të forta që i duamë shumë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa janë të vogla si Kosova”, ka thënë Haradinaj, shkruan lajmi.net.
Ai në fjalimin e tij ka thënë se dëshmorët i kanë dhënë gurrthemelin Kosovës de se sipas tij, ky ka qenë qëllimi më i madh që të gjithë ushtarët e ish-UÇK-së, ia patën dhënë vetes.
“Dëshmorët janë atë që i kanë vendosur gurthemelet këtij shteti. Pra mendojeni se çfarë qëllimi të madh i kemi dhënë vetes. E vërtetë është që trojet tona janë reduktuar. Mirëpo është i gëzueshëm fakti që kemi një atdhe ku mund të jetojmë të lirë – ne shqiptarët që jemi shumicë por edhe komunitet tjera”, u shpreh Haradinaj.
Kryeministri i dorëhequr, po ashtu ka thënë se për qëllime të mëdha ka edhe shumë pengesa.
“Nuk ka në jetë asgjë të lehtë, është zor dhe ka dhimbje. Për qëllimet e mëdha ka edhe shumë pengesa. Një pjesë të pengesave ja bëjmë vetës dhe një pjesë tjetër na bëjnë kundërshtarët tonë. Tani e kemi mundësinë të ngecim në ato pengesa që ja bëjmë njëri-tjetrit ose të përballemi me pengesat që na bëjnë kundërshtarët. Nëse vazhdojmë t’i tejkalojmë këto pengesa, ne vazhdojmë të afrohemi drejt një lirie më të plotë, drejt një të ardhme 100 për qind shtet. Unë ju ftoj që të vazhdojmë ta forcojmë shtetin tonë dhe ta nderojmë sakrificën tonë ndër breza”, u shpreh Haradinaj. /Lajmi.net/


