Haraçina ditëve të fundit është në “shënjestrën” e policisë. Rasti i fundit është mbrëmë rreth orës 22:00 kur forca të shumta policore vërshuan këtë komunë. Janë kontrolluar 54 persona dhe 11 automjete, ndërsa është arrestuar një 40-vjeçar tek i cili është gjetur një pistoletë.
“Është kryer kontroll në objektet hotelierike në zonën e fshatit Haraçinë të Shkupit, ku është privuar nga liria A.D.(40), i punësuar në një nga lokalet. Tek ai është gjetur pistoleta “TT” dhe një karikator me tetë plumba”, thonë nga MPB.
Po të njëjtën ditë në ora 05:00 të mëngjesit forcat policie bastisën disa shtëpi në Haraçinë ndërsa u arrestua 49-vjeçari N.R. i cili kërkohej për vuajtje të dënimit prej një vjet e gjysmë burg, pasi ishte kapur me armë. Bastisja vazhdoi edhe në Mojancë, ku u sekuestrua një pistoletë.
“Banorët e Haraçinës meritojnë një politikë TË FORTË dhe të VENDOSUR që çon përpara! E ardhmja evropiane e solidaritetit, drejtësisë dhe lirisë – pa përjashtuar askënd!”, deklaroi Fatmir Bytyqi – nënkryetar i LSDM-së.
E kolegu i tij nga e njëjta parti Oliver Spasovski, por kërkon diçka në Haraçinë, por nga Ministria të cilën ai e drejton nuk tregojnë se çfarë po kërkojnë konkretisht.
Nga ana tjetër kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se në Haraçinë ka kriminelë të cilët po mbrohen pikërisht nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai tha se i njeh saktë kush janë kriminelët.
“Ditën e parë kur ne do t’i marrim institucionet do të shihni saktë se për cilët persona bëhet fjalë dhe ata persona do të nxirren para drejtësisë. Ja unë ju premtoj. Saktë e dimë se kush janë njerëzit, cilat vetura i ngasin, si duken, me çka merren, ku lëvizin, dhe çka bëjnë. Ditën e parë kur VMRO DPMNE do t’i marrë institucionet, dhe do ta marrë MPB-në ju premtoj se ata persona do të nxirren para jush dhe para drejtësisë”, pohoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO DPMNE-së.
E ministri Spasovski përmes profilit të tij në facebook u mburr se SPB Shkup vitin e kaluar ka konfiskuar 215 kilogramë marihuanë dhe 1,5 kilogramë kokainë.
Ai theksoi se do të vazhdojnë me intensitet të rritur në përmirësimin e gjendjes së sigurisë, si në rajonin e Shkupit, ashtu edhe në territorin e tërë shtetit.