Në aktivitetin për 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, shkrimtares që humbi jetën në burgjet komuniste, kryeministri Rama ka ngritur lart figurën e saj, duke u shprehur se hapja dosjeve duhet të nisë pikërisht me aktivisten e njohur të asaj kohe.
Kreu i qeverisë ka folur në Bibliotekën Kombëtare, duke nënvizuar se e shkuara nuk duhej përdorur si hipokrizi për ata që pretendonin se përfaqësonin të shkuarën.
“Jam shumë krenar që në cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare mund të flas për faktin se me historinë e Musine Kokalarin fillon një kapitull i ri në raport me historinë, historinë e shumë e shumë të tjerëve që janë përdorur si ushqim për të helmuar turmat, për të nxitur urrejtje mes njerëzish në këtë vend dhe jo për të ndriçuar të ardhmen që e kaluara të mos përsëritet më, jo si fakt i së shkuarës, por si sjellje dhe qasje ndaj së ardhmes, – tha Rama. – Më vjen mirë që ne u bëmë nismëtarët dhe realizuesit e një ideje që erdhi vërdallë për një kohë të gjatë në mjedisin e zhurmshëm politik dhe asnjëherë nuk u materializua hapja e dosjeve të së shkuarës dhe nxjerrja në dritë e fakteve reale pa paragjykime apo gjykime prej palësh të një historie që nuk mund të jetë një arsye për të na mbajtur të ndarë apo për të thelluar një përçarje. Por, si një motiv i fortë që gjithë së bashku të ndahemi nga e shkuara”.
Rama shtoi se në këto 25 vjet, kjo kategori është përfaqësua nga njerëz hipokritë, që kanë dashur kontrollin e së shkuarës.
“Projekti për hapjen e dosjeve që ne e kemi filluar qysh në ditët e para të punës, tanimë kulmon me fillimin e zbatimit të tij dhe ligji që ne kaluam në Parlament që duhet të kishte kaluar qysh në ditët e para të Parlamentit të parë pluralist dhe që u mbajt peng për 25 vjet, i jep mundësi institucioneve duke filluar nga Kuvendi, Presidenti, Qeveria, administrata e drejtësisë dhe të gjitha institucionet që të njohin përmes fakteve marrëdhëniet e gjithë personelit të tyre me të shkuarën”.
10 shkurt 2017 (gazeta-shqip.com)