Është hapur qendra e parë për mbështetje të të rinjëve me aftësi të kufizuara. ‘Habit” është qendra e parë në rajon që ofron shërbime për personat me aftësi të kufizuara dhe ju mundëson atyre që të fillojnë karrierë në sektorin e IT-së. Gjithashtu kjo qendër do të sigurojë shërbime kompanive që ta rrisin qasjen deri te produktet e tyre.
Ambasadori i SHBA-ve në Shkup Xhes Bejli, u shpreh se ky projekt i USAID-it inkurajon qasje gjithpërfshirëse të personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes nivelit të integrimit në sektorin e teknologjisë informatike në vend.
“Jemi krenar për të gjithë pjesëmarrësit në këtë projekt, për atë që i kanë thyer paragjykimet dhe mitet dhe i kanë treguar sektorit të biznesit se personat me aftësi të kufizuara mund të japin kontributin e tyre dhe mund të jenë të punësuar në sektorin ekonomik që po rritet me shpejtësi të madhe në Maqedoni, e ajo është teknologjia informatike”.
Ministra e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska bëri të ditur se ata janë duke punuar në hapjen e dy qendrave për rehabilitim dhe se në planin për punësim të vitit 2018, do të përfshihen më shumë persona me aftësi të kufizuara.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në planin operativ për punësim të vitit 2018, do ju mundësojmë të gjithë personave me aftësi të kufizuara të jenë të përfshirë në pjesën më të madhe të masave që kanë të bëjnë me rritjen e kompanive të vogla dhe të mesme, në punësimin e organizatave qytetare, në zhvillimin e ndërmarrjeve sociale”.
Projekti është mbështetur nga USAID-i, është implementuar nga fondacioni “Ivote”, në bashkëpunim me organizatën “Hapni dritaret” dhe shoqatës së studentëve dhe të rinjëve me aftësi të kufizuara.
Përndryshe, USAID këtë vit feston 25-vjetorin e punës së saj në Maqedoni dhe që nga viti 1993 ka investuar mbi 610 milion dollarë./ShenjaTV/.