Sot u bë hapja zyrtare e pishinës sportive pranë SHFK “Ismail Qemali” në Fushë Topanë, investim në vlerë prej rreth 1 milion eurosh, që tashmë vihet në funksion të qytetarëve të Komunës së Çairit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se ky projekt për shumë vite ka qenë një nga kërkesat më të mëdha të qytetarëve dhe se sot po merr formë konkrete si një investim i rëndësishëm për sportin, të rinjtë dhe komunitetin.
“Premtim pas premtimi, po i realizojmë. Çdo projekt që kemi zotuar po hyn në fazën e realizimit dhe kjo pishinë sportive është dëshmi konkrete se puna dhe përkushtimi japin rezultate. Çairi meriton investime që mbeten dhe që u shërbejnë brezave të rinj”, deklaroi Mexhiti.
Pishina sportive do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit, rekreacionit dhe aktiviteteve sportive për nxënësit, të rinjtë dhe qytetarët e kësaj zone.(INA)


