Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve dhe kreut të komunës së Butelit, ambulanca modulare në këtë komunë u hap. Përfaqësuesit e Shtëpisë së Shëndetit në Shkup përuruan hapjen dhe funksionimin e këtij objekti i cili për momentin ka 4 koncesioner nga fusha të ndryshme, ndërkaq pritet dhe hapja e një laboratori. Nga Shtëpia e Shëndetit thanë se kjo është një zgjidhje e përkohshme për banorët e kësaj komune. I pyetur nga gazetarët për sigurinë, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Isjanovski tha se objekti është i sigurt.
“Kompania e cila e ndërtoi këtë objekt, i ndërmori të gjitha masat e sigurisë. Brenda objektit kemi ftohje dhe nxehje qendrore, janë vendosur panele rezistente ndaj zjarrit midis mureve. Këto janë objekte të përkohshme. Të gjithë ambulancat që i kemi nën kompetenca të shtëpisë së shëndetit janë objekte të përkohshme”, tha Viktor Isjanovski, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup.
ALSAT pyeti komunën e Butelit nëse do të ndërmerr nismë për të përmbushur premtimin për ngritjen e një objekti të qëndrueshëm i cili do jetë Poliklinikë, megjithatë përgjigje nuk morëm.
Banorët e anketuar nga ALSAT ndërkohë thonë se ata meritojnë një objekt më të qëndrueshëm dhe jo një objekt modular.
“Këtu duhej të ndërtohet poliklinikë. Ashtu ishte plani, megjithatë nuk e bënë ashtu. E bënë njëjte siç ishte vetëm një version më modern diçka e rinovuar. Marrë parasysh si ka qenë dhe si është tani mendoj se është situatë e njëjtë, mos dashtë Zoti të merr flakë”.
“Nuk është e sigurt. Unë vetë kam punuar në ndërtimtari dhe e di se nuk është e sigurte”.
“ Kryetari i komunës deklaroi se do ketë objekt të ri të ndërtim, por nuk ka asgjë nga ajo. Mbeti ajo e vjetra për nga konstruksioni. U premtua se do ishte ndërtim i fortë si komuna, por mbeti e njëjte edhe ne u befasuam kur e pamë”.
Rinovimi i dhjetë ambulancave brenda Shkupit është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë. Deri më tani janë rinovuar 3 ambulanca ndërkaq parashihet që edhe 6 ambulanca të tjera të shndërrohen në objekte modulare. /Alsat.mk