Komuna e Haraçinës do të bëhet së shpejti me zyrë të re bankare Halkbank, pas marrëveshjes së arritur në një takim zyrtar mes drejtuesve të bankës dhe kryetarit të komunës.
Gjatë takimit me Drejtorin Gjeneral të Halkbank, Berkan Imeri, dhe Zëvendës Drejtorin Gjeneral, Xhahit Lushi, palët u dakorduan për hapjen e një zyre të bankës në hapësirat e Komunës së Haraçinës.
Kjo iniciativë synon t’u ofrojë qytetarëve dhe bizneseve lokale qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbime bankare.
Sipas kryetarit Beqiri, ky është një hap konkret drejt përmbushjes së zotimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore, duke sjellë shërbime të drejtpërdrejta dhe mundësi të reja zhvillimi ekonomik për komunën.
Hapja e zyrës së re pritet të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin e transaksioneve financiare dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime në Haraçinë.
Komuna e Haraçinës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e cilësisë së jetesës për të gjithë qytetarët.
Njoftimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë të pres në takim Drejtorin Gjeneral të Halkbank, z. Berkan Imeri, si dhe Zëvendës Drejtorin Gjeneral, z. Xhahit Lushi. Si rezultat i këtij takimi, u dakorduam të hapim një zyrë të Halkbank në hapësirat e Komunës, duke i ofruar qytetarëve dhe bizneseve shërbime bankare më të lehta. Ky hap ka rëndësi të veçantë, pasi tregon se po realizojmë premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, duke ofruar shërbime konkrete dhe mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset e Haraçinës. Haraçina po ec përpara me hapa konkret drejt zhvillimit ekonomik dhe krijimit të kushteve më të mira për jetesë.


