Persona të dënuar për vepra të lehta penale, të cilët me hyrjen në fuqi të Ligjit për amnisti u liruan nga burgu, për kohë të shkurtë duket të i jenë kthyer ‘’zanatit të vjetër’’. Burime jozyrtare nga Ministria për Punë të Brendshme për Almakos kanë informuar se nga momenti që kanë dalur në liri këta persona për çdo natë po kryejnë vepra të reja penale, kryesisht vjedhje.
Ministria e Punëve të Brendshme as nuk e konfirmon, e as e mohon këtë informacion. Përgjigjen na drejtuan ta kërkojmë nga Prokuroria Publike, e cila duhet të dijë nëse personat e amnistuar janë kryerës të veprave penale. Por, duket se as Prokurorinë Publike nuk ka detaje konkrete për përfshirjen e personave të amnistuar në vjedhje të reja në qytet.
‘’Deri në këtë moment nuk mund të konstatohet se personat për të cilët parashtroni pyetje janë përgjithësisht autorë të veprave penale të reja,’’ thonë nga Prokuroria Publike.
Përndryshe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë Ligjin për amnisti e ka votuar në janar të këtij viti. Me këtë ligj ishte paraparë të lirohen persona që kryesisht kanë kryer vepra të lehta penale, siç janë vjedhjet.
Ligji për amnisti ka përfshirë gjithsej 670 të burgosur prej gjashtë muaj, kurse 3097 të tjerëve iu është ulur dënimi për 30 për qind, duke përjashtuar personat, të cilët veprat penale i kanë kryer pas muajit shtator të vitit 2017.
Nga Qeveria, e cila ishte propozuese e ligjit, u arsyetuan se amnistia do të mundësojë mbingarkimin e burgjeve, ku mbretërojnë kushte të vështira si dhe do të kursehen para nga buxheti, të cilat do të përdoren për përmirësimin e kushteve në burgje.
Arbnora Memeti
Almakos