Hajnat në Shkup dhe rrethinë çdo të katërtën orë e vjedhin nga një banesë. Kështu thotë statistika e fundit e Ministrisë për Punë të Brendshme, sipas të cilës, mesatarisht gjashtë banesa (shtëpi) në Shkup, për çdo ditë janë në cakun e vjedhësve.
Nëse deri dje organet e rendit në kryeqendër bastisjen më të madhe të banesave në Shkup e kanë regjistruar në Komunën Qendër, të dhënat e fundit tregojnë se primatin e muajve të parë të këtij viti e merr Komuna e Aerodromit, shkruan gazeta KOHA.
Statistikat e fundit të publikuara nga MPB thonë se nga 1 janari i këtij viti e deri me 31 mars, në të gjithë territorin e vendit janë realizuar 700 vjedhje të banesave (shtëpive).
Fatkeqësisht, mbi 90 për qind e këtyre rasteve janë regjistruar në Shkup, gjegjësisht sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, në tre muajt e parë në kryeqytet kanë ndodhur 483 vjedhje të rënda të banesave, me çka janë ngritur 19 kallëzime penale.
Tutje, siç njoftojnë nga MPB, nga viti 2015 deri me 2017, në Maqedoni janë realizuar mbi 10 mijë vjedhje të rënda, prej të cilëve mbi 2500 kanë qenë banesa dhe shtëpi, respektivisht rreth 70 për qind e tyre janë kryer në Shkup.
Nga ky numër i përgjithshëm i vjedhje, policia në nivel republikan ka arritur të zbuloj 22 për qind të rasteve, ndërkohë kur flasim për vjedhjet në Shkup, policia ka arritur të zbuloj vetëm 15 për qind të vjedhjeve.