Pas mosunitetit të partive shqiptare për të përkrahur kandidatin shqiptar Blerim Rekën në zgjedhjet e 21 prillit 2019, garën për president të Maqedonisë së Veriut këtë të diel do ta vazhdojnë kandidatët maqedonas, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, shkruan gazeta “Zëri”.
Analisti shqiptar në Maqenoninë e Veriut, Fejzi Hajdari ka thënë për “Zërin” se shqiptarët do të duhej të përcaktoheshin për kandidatin më properëndimor sipas tij, Stevo Pendarovskin e LSDM-së.
“Mendoj se shqiptarët duhet të përcaktohen për ‘opsionin properëndimor’, të cilin pak a shumë gjatë fushatës elektorale e shpalosi kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski. Them këtë jo nga shkaku se lideri i kësaj partie, Zoran Zaevi, ka bërë diçka për shqiptarët, por për faktin se fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së do të ngjallte ambiciet dhe shpresat e Rusisë dhe të Serbisë për ta shtuar ndikimin e humbur në Maqedoni”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se në këtë gjendje shqiptarët duhet ta zgjedhin “të keqen më të vogël” duke votuar kandidatin e LSDM-së pasi sipas tij, fitorja eventuale e VMRO-DPMNE do të ishte rrezik i madh për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
“Gjasa kanë të dy kandidatët, por vendimtare do të jenë votat shqiptare. Shqiptarët kësaj radhe duhet të votojnë me mençuri, respektivisht të përcaktohen, si të them, ‘mes dy të këqijave’, respektivisht të zgjedhin ‘të keqen më të vogël’ dhe në këtë mënyrë të mos krijojnë hapësirë që forcat e tilla proruse dhe proserbe të mundë ta ngadalësojnë procesin drejt integrimit në NATO, që Maqedonia sapo e ka filluar. Fitorja eventuale e VMRO-DMPNE-së do të ishte një rrezik i madh për Maqedoninë, gjegjësisht për rrugëtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë drejt strukturave euroatlantike”, ka shtuar ai./ZERI