Analisti politik në Maqedoni, Fejzi Hajdari, ka vlerësuar se vendimi i presidentit Ivanov që të mos ia japë mandatin Zaevit, do të thotë shpërfillje e shqiptarëve.
“Veprimi anakron dhe absurd i presidentit Ivanov do të thotë defaktorizim dhe sidomos mospërfillje e shqiptarëve nga ana e tij, edhe në momentin kur faktori politik shqiptar arriti ta përpilojë një llojë platforme në mes të Tiranës, me mbështetjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Ndërkohë, ka konsideruar se rethanat e krijuara tregojnë më shumë për një koalicion të mundshëm mes VMRO-së dhe BDI-së. Kurse, nuk ka përjashtuar as destabilizimin e situatës.
“Sot në Maqedoni nuk përjashtohen edhe skenare të errëta të një lloj destabilitetit të koordinuar dhe lokalizuar. Kam frikë si shumë herë më parë, shqiptarët të mos jenë viktimë edhe kur zihen mes veti VMRO-ja dhe LSDM-ja”, ka theksuar Hajdari.
Megjithëkëtë, sipas tij, mundësitë që shqiptarët t’i realizojnë kërkesat e tyre ekzistojnë ende.
“Mundësitë ekzistojnë derisa të jenë gjallë shqiptarët, kurse ata nuk kishin edhe ndonjë rast të madh. Faktori politik shqiptar nuk ishte unik, edhe pse rrethanat politike me numrat e mandateve të deputetëve u krijuan asisoj që mund t’i favorizonin shqiptarët.
Partitë shqiptare nuk mund t’i kushtëzojnë partitë maqedone, përderisa për cdo veprim të tyre konsultohen paraprakaisht më partitë maqedone”, ka shtuar ai. /Zëri