Në takimin e 14 të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim mes Maqedonisë dhe Bashkimit Europian, zyrtarët e Brukselit konfirmuan edhe njëherë se dyert e BE-së janë të hapura për Maqedoninë. Gjithsesi, kërkuan bashkëpunim më të ngushtë mes partive politike, pozitës dhe opozitës në procesin e mëtutjeshëm deri në hapjen e bisedimeve.
“Kërkojmë nga të gjitha forcat e qeverisë, opozita, të vazhdojnë të punojnë së bashku në reformat evropiane. Dyert e BE-së janë të hapura. Kjo është treguar ditët e kaluara. Rruga për BE është e pakthyeshme. Jemi këtu me ju, hap pas hapi në këtë rrugëtim”,- theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
“Procesi qasës është qëllim nacional. KE veç më ka filluar përgatitjet. Me 17 korrik vijmë në Shkup dhe fillojmë përgatitjet teknike. Do të punojmë së bashku me qeverinë në procesin e skriningut. Kur t’i jepni rezultatet përgjegjësia jonë është të rekomandojmë hapjen e bisedimeve. Nuk është punë afatshkurte. Deri në qershorin e ardhshëm duhet të jemi gati”,- tha eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahan.
Nga Qeveria e Maqedonisë premtojnë se do të vazhdojnë me reformat për të përmbushur të gjitha detyrat e dhëna nga Brukseli.
“Përveç përgatitjeve për bisedime, qeveria do të vazhdojë me impulsin e reformave që të përcjellim suksese të dukshme, rezultate për sundim të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
“Nuk kemi kohë për të humbur. Patjetër të ballafaqohemi me problemet dhe t’i zgjidhim. Shoqëria jonë më tepër se kurrë është e vendosur t’i tejkalojë problemet”,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Këshilli për Stabilizim dhe Asociim vlerësoi edhe sukseset e tjera të Maqedonisë, si: Marrëveshjen Përzhinës, reformat urgjente prioritare, fqinjësinë e mirë, si dhe rritjen e fuqisë ekonomike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU