Lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski në një intervistë për Express ka folur në lidhje me shqiptarët dhe raportet me partitë politike shqiptare deri tani si kryeministër.
Gruevski tregon se çka ka biseduar me Imer Selmanin, kryetarin e Demokracisë së re i cili në atë kohë doli edhe si kandidat për president në Maqedoni ku mori 150 mijë vota e më pas në zgjedhjet parlamanetare nuk arriti që të merr një mandat deputeti.
“Para shtatë vjetësh, një politikan shqiptar i një partie jo shumë të madhe, në atë kohë e sapoformuar, ishte kandidat për president, por nuk ia doli, por ai fitoi shumë vota, mendoj dikur rreth 150,000 vota në raundin e parë. Sipas analizave që kemi bërë, ai ka fituar më shumë vota nga maqedonasit sesa shqiptarët. Më vjen keq që më vonë humbi në zgjedhje, duke besuar se në zgjedhjet parlamentare duhet përdorur retorikë krejtësisht radikale etnike dhe fetare që është mënyra e vetme për t’i tërhequr votuesit shqiptarë. Kështu ai shpërndau shumë urrejtje dhe energji negative. Pastaj si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët ia kthyen shpinën dhe ai dështoi si politikan. Kur filloi këtë mbrapakthim, në fillim fare, e takova rastësisht, e urova për suksesin e mëhershëm që askush s’e kishte arritur më herët, dhe ia dhashë një këshillë miqësore se do të gabonte sikur do të vazhdonte ashtu siç kishte nisur, me retorikë krejtësisht radikale. Ai vendosi ndryshe dhe vendosi të jetë më radikal se shumica e politikanëve radikalë shqiptarë. Problemi kryesor është jo pse ai shkatërroi karrierën politike, por fakti se duke zhgënjyer 80 mijë maqedonas të cilët e votuan dhe me siguri, së paku po aq votues potencialë, të cilët hezituan dhe po mendonin ta mbështesnin atë në zgjedhjet e ardhshme, ai ia mbylli rrugën jo vetëm vetes, por ndoshta edhe ndonjë politikani tjetër shqiptar, së paku për një farë kohe, që të marrë besimin e maqedonasve. Është për të ardhur keq. Pas kësaj kam dëgjuar maqedonasit të thonë se e kanë konsideruar atë si ujk në lëkurë të deles dhe nuk mund t’ia falin vetes se si ia arriti t’i mashtronte ata dhe shqiptarët, duke e konsideruar atë si kandidat joserioz, i cili transformohet nga një palë zgjedhje në tjerat, sipas nevojës dhe kur kishte nevojë që ta votonin për president ai i servilosej maqedonasve dhe kur i duheshin votat e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare, ai fillonte t’u vardisej shqiptarëve me retorikë radikale” ka thënë Gruevski.