Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski para votimit të Qeverisë së re në fjalimin e tij foli për të arriturat e partisë së tij gjatë pushtetit disavjeçar, ndërsa ai nënvizoi se nga nesër LSDM e merrë përgjegjësinë për drejtimin e shtetit.
Sipas tij, VMRO-DPMNE ka bërë shumë reforma dhe hapa të mëdhenj në çdo sferë, duke zgjidhur shumë probleme. Megjithatë siç tha ai, gjatë viteve të fundit partia e tyre ka qenë cak i operacioneve nga struktura të jashtme, me qëllim të ndryshimit të pushtetit. Sipas tij, arsyeja kryesore për këto veprime të jashtme ka qenë kërkesa e VMRO-DPMNE për zgjidhje fer të kontestit të emrit. Ai tha se nga shumica e re parlamentare pret qasje ndryshe në raport me kontestin e emrit.
“Koha do të tregoj se kush ka të drejtë. Populli i dha përkrahje më të madhe koalicionit të VMRO-DPMNE, ndërsa LSDM pësoi humbje. Dua ta rikujtojë LSDM se çka ata na lanë, e çka ne nuk i lam. Për dallim nga ta, ne po i lëmë arkë të mbushur dhe buxhet të shëndosh”, theksoi Gruevski. Ai përmendi edhe të arriturat në përmirësimin e klimës së biznesit, hapjen e vendeve të rej të punës dhe tërheqjen e investimeve të huaja, përmes hapjes së fabrikave të reja.