Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski është parë në parkun dhe bazën ushtarake “Jasen”. Këtë e kanë theksuar banorë që jetojnë afër parkut, të cilët thonë se Gruevski kishte ardhur i shoqëruar nga eskorta policore. Ai ka vizituar zonën dhe më pas është larguar. Po sipas banorëve, edhe zyrtarë të tjerë shtetëror kanë qenë në këtë bazë.
“Jasen” është rezervati malor dhe baza e njohur ushtarake nga koha e ish-Jugosllavisë, e cila gjendet në periferi të Shkupit. Javorja “Fokus” shkroi se nga kjo bazë presidenti Gjorgje Ivanov do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe do të nis me operacionin e arrestimeve të siç thuhet “puçistëve”, kryesisht nga opozita maqedonase.
Ky rezervat ka bunkerë special, për strehimin e mbi 100 vetave, ku siç mësohet janë dërguar pajisje të nevojshme dhe ushqime. Një pjesë e këtij parku shfrytëzohet edhe për gjueti nga gjuetarë të huaj.

