Eksperti juridik Naser Ziberi vlerëson se arratisja e Gruevskit nga shteti pa pasaportë, do të thotë dështim i gjithë sistemit të shtetit. Sipas tij, Prokuroria, Gjykata dhe Ministria e Brendshme nuk i kanë marrë masat e duhura për izolimin e Gruevskit dhe të tre institucionet kanë bërë lëshime. Ziberi thotë se duhet të hetohet urgjentisht rruga në të cilën u arratis Gruevskit dhe për të njëjtën gjë, do duhet të jepet përgjegjësi.
“Këtu ka dështuar i gjithë sistemi. Që nga Gjykata, Prokuroria e deri te MPB-ja. Por secili ka dështuar në pjesën e vetë të përgjegjësive që kanë konform dispozitave ligjore. Prokuroria ka dështuar që nuk ka kërkuar nga gjykata masë të paraburgimit ose masë tjetër e cila do të mundësonte prezencën e tij këtu dhe do të ia pamundësonte ikjen. Kanë dështuar gjykatat me procedura e stërzgjatura në procesin e marrjes së vendimeve për dërgimin e tij në mbajtjen e dënimit. Ka dështuar edhe MPB-ja në kuptimin që është dashur ta ketë në surveim dhe shtrohet pyetja se si e ka kaluar pikën kufitare. Kjo është kompetencë e MPB-së”, u shpreh Naser Ziberi , jurist.
Gjykatësja Margarita Caca Nikollovska thotë që hapësira kohore që i’u la Gruevskit për t’iu dhënë vendimi i gjykatës, ka qenë i tepërt dhe i mjaftueshëm njëkohësit që ai të largohet nga shteti.
“Të lihet dy ditë, të mos i dorëzohet vendimi, ndërsa që nga dita e premte kanë ekzistuar disa indikacione se nuk mund ta gjejnë, është kohë e mjaftueshme që i njëjti të organizohet dhe të ik nga shteti. Është e vërtetë se institucionet tani ia hedhin topin njëra tjetrës. Është e saktë gjithashtu se nuk ka ndonjë masë strikte ligjore për këtë rast, megjithatë gjithashtu është e nevojshme që të zbardhet i gjithë rasti sepse ne nuk i dimë të gjitha detajet”, tha Margarita Caca Nikollovska, gjykatëse ndërkombëtare.
Edhe pse Nikolla Gruevski nuk ka pasur marrëdhënie të mira me faktorin ndërkombëtarë, gjithmonë ka ruajt miqësinë me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Pasi Gruevskit ju morr pasaporta me urdhër të gjykatës, Orban vitin e kaluar e vizitoi Gruevskin në Maqedoni ndërsa që atëherë mediumet hungareze kishin shkruar se Gruevskit i është premtuar azil. Orban gjatë referendumit gjithashtu kishte përcjellë video-porosi kundër referendumit. Sipas ligjeve të Hungarisë, Gruevski fillimisht pas kalimit të kufirit është dashur që të strehohet në qendrat transitore për refugjatët ndërsa përderisa në Hungari ka hyrë nga Serbia, ai është dashur që të kthehet nga ka hyrë. Kërkesa e Gruevskit për azil mesa duket e ka vendos mes dy zjarreve edhe Orabnin i cili duhet të vendos mes shokut të tij dhe presionit të opinionin por edhe të Brukselit. Eurodeputeti Knut Frankenshtajn sot në mënyrë ironike e komentoi kërkesën për azil të Nikolla Gruevskit, duke thënë se është i bindur se qeveria hungareze nuk do i jap të drejtën e azilit politik dhe se Orban nuk është fans i dhënies së azilit.
/Alsat-M/